Skandalet ndër vite të kompanisë famëkeqe KEDS

Kompania Çalik e Limak Holding, e cila e kishte blerë për 26.3 milion euro distribucionin e energjisë elektrike në Kosovë, përveç që nuk ka siguruar rrymë 24 orë siç është e obliguar, vazhdimisht është përfshirë në skandale. Skandalet e saj kanë prekur drejtpërdrejtë qytetarët e vendit. Sot KEDS paralajmëroi se rrymën e importuar me çmim katër fish më të shtrenjtë do t’ua faturoj atyre.

Skandalet ndër vite të kompanisë famëkeqe KEDS

Para gjashtë viteve, kompania turke Çalik e Limak Holding e kishte privatizuar distribucionin e energjisë elektrike në Kosovë. Qeveria e Kosovës në krye me Hashim Thaçin në atë kohë, e privatizoi këtë aset për vetëm 26.3 milion euro.

Nihat Ozdemir  njeriu në krye të Limak-Holding kur kishte prezantuar kompaninë që kishte qenë fituese e  distribucionitm thoshte se do të investohen 300 milionë euro. Kjo nuk ndodhi, kompania e tij nuk arriti të sigurojë energji elektrike as pas gjashtë viteve, duke e lënë Kosovë në terr.

“Grupi Kosovo Çalik-Limak Energy në 15 vitet e ardhshme për distribuimin e energjisë elektrike në Kosovë do të bëjë investim prej 300 milionë euro, për këtë arsye jemi të përgatitur, kemi eksperiencë dhe sa më shpejtë që do të barten asetet do të fillojnë këto investime”, thoshte Ozdemir, duke shtuar se popullata e Kosovës do të ketë energji më kualitative dhe pandërprerë.

Distribucioni i energjisë – që tash si KEDS, përveç që nuk ka përmbushur obligimin për furnizimin e qytetarëve 24 orë me energji elektrike, ajo ndër vite është përfshirë në skandale, raporton Insajderi.

Detyroi qytetarët e Kosovë të paguajnë mbi 40 milionë eurove për rrymën e shpenzuar nga banorët serb në veri. Beri faturim të rrejshëm, shtrenjtoi energjinë, përfitoi nga vendimet e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, pasi tre nga ish-menaxherët e saj, janë anëtar të bordi të ZRRE-së. U përfshi edhe në skandalin e njësorëve “Kohler’.

Së fundmi paralajmëroi se importimin e rrymës katërfish më shtrenjtë do t`ua faturoj qytetarëve.

Ndonëse javën e fundit qytetarët janë përballur me mungesë të madhe të energjisë, në disa vende edhe deri në gjatë orë pa të, këtë muaj ata do të paguajnë shumë më shtrenjtë faturën.

KEDS, një histori e gjatë korrupsioni për të afërmit e Erdoganit

Distribucioni i energjisë elektrike ishte privatizuar në vitin 2012 për një çmime prej vetëm 26.3 milionë euro. Shitja e saj ishte përcjellë me akuza të shumta. Vlerësohej se asetet e kompanisë ishte shumëfish më e lartë sesa çmimi me të cilin u shit.

“Çalik Holding”, që ka në pronësi distribucionin e energjisë ( KEDS), për një kohë të ‘mirë’ e pati si drejtor Berat Albajrakun, dhëndrin e presidentit të Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.

Shitja e këtij aseti publik, i siguronte kompanisë turke investim në një biznes të sigurt me të drejtë ekskluzive të shitjes me pakicë të energjisë elektrike të konsumatorët.

KEDS, kishte arritur që vetëm brenda një viti të sigurojë profit të pastër prej rreth 30 milionë eurosh gjatë vitit 2014.

Evidentohen 24 viktima të vjedhjes nga kompania turke

Gjatë këtij viti, KEDS është përfshirë në skandalin e vjedhjes së konsumatorëve. Kjo kompani ka mashtruar të paktën njëzetë e katër konsumatorë, nëpërmjet faturimit të rrejshëm, shkruan Insajderi.

Kjo kishte konstatuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji. ZRRE ka vendosur që ta detyrojë KEDS-in që t’ua kthejë paratë konsumatorëve.

24 ankesat e konsumatorëve janë aprovuar gjatë këtij viti. Ndërsa në vetëm një rast, shuma që KEDS ia kishte faturuar  një konsumatori nga Prishtina, ishte 6 mijë e 530 euro, raporton Insajderi.

Në vendimin e fundit të Bordit të ZRrE-së, të publikuar më 12 korrik, u aprovua kërkesa e një konsumatori nga Prishtina të cilin KEDS/KESCO e kishte ngarkuar me 6 mijë e 530 euro pagesë shkaku i disa matjeve të realizuara më parë.

ZRrE mori vendim që KEDS ta lirojë nga kjo pagesë konsumatorin nga Prishtina.

Mashtrimet e KEDS-it – Shteti evidenton 24 viktima të kompanisë turke

Çdo vit nga 8 milionë euro për rrymën e shpenzuar në veri

Historia e skandaleve të kompanisë KEDS në Kosovë, vazhdon me faturimin e mbi 40 milionë eurove për energjinë e shpenzuar nga qytetarët në veri të Kosovës, shkruan Insajderi.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), në kohën kur Hashim Thaçi ishte kryeministër, kishte nxjerrë një vendim absurd në favor të kompanisë turke KEDS. ZRrE-ja ia mundësonte turqve që faturat e rrymës të cilat nuk i paguanin qytetarët e komunave veriore, kryesisht serb, t’i paguanin qytetarët në pjesët e tjera të Kosovës.

Ky ishte një favor i ZRrE-së për kompaninë turke, e cila asesi nuk doli në humbje.

Avokati i Popullit kishte përllogaritur që përfitimi nga ky vendim, ishte mbi 8 milionë euro për çdo vit për kompaninë e afërt me Erdoganin.

Sipas llogaritjeve del se që nga viti 2012 kur është marrë vendimi janë paguar rreth 40 milionë euro për rrymën e shpenzuar në veri. Krejt kjo shumë është paguar në tërësi nga konsumatorët e komunave tjera.

Dyshimet e avokatit  i kishte konstatuar edhe Gjykata Themelore e Prishtinës. Në nëntor të vitit të kaluar u vërtetuan edhe nga Gjykata e Apelit.

Përfundimisht u pezullua vendimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë. Vendimi gjyqësor i jepet fund diskriminimit dhe dëmeve që u janë shkaktuar qytetarëve nga ZRRE-ja.

Por paratë e vjedhura nga qytetarët, nuk janë kthyer kurrë edhe përkundër kërkesës së avokatit të  popullit dhe kërkesat e qytetarëve përmes protestës. Krejt kjo përveç vjedhje është konsideruar edhe shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut.

Avokati i Popullit pret kompensim të qytetarëve për pagesën e rrymës së shpenzuar në veri

Qytetarët me protesta kërkuan t’u kthehen parat e shpenzuar për rrymën në veri

Në dhjetor të vitit të kaluar mijëra protestues, kishin kërkuar që t’u kthehen paratë e paguara për faturat e rrymës së harxhuar në veri të vendit, shkruan Insajderi.

Protesta erdhi edhe si kundërpërgjigje ndaj paralajmërimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRRE) për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për 18 për qind.

Me moton “Asnjë cent më shumë” protestuesit, u mblodhën fillimisht nga zyret e KEDS duke vazhduar te qeveria e Kosovës. KEDS, ishte shprehur e habitur me thirrjen e një proteste kundër shtrenjtimit të rrymës, pasi dyshon se njerëzit që kanë thirrur këtë protestë kanë motive të tjera.

Skandali i KEDS-it, fyen nismëtaret e protestës kundër shtrenjtimit të rrymës

NUk ishte mjaftuar me kaq. KEDS kishte fyer protestuesit të cilët e kanë parë të padrejtë rritjen e çmimit të energjisë elektrike, gjatë muajve të fundit.

“Jemi të habitur që njerëzit që po thirrin për protestë ende e drejtojnë këtë protestë gabimisht ndaj nesh, duke vënë kështu në pikëpyetje motivin e vërtetë të saj”, thuhet në njoftimin e KEDS. Protesta tjera kundër shtrenjtimi të rrymës janë zhvilluar edhe gjatë vitit 2013 dhe 2015.

Protesta të tjera ishin mbajtur kundër shtrenjtimit të rrymës edhe në vitin 2013 dhe 2015. Por asnjëra prej tyre nuk e zbrapsi këtë kompani nga përfitimi i miliona erurove në kurriz të qytetarëve kosovarë.

Punëtorët e KEDS-it emërohen anëtarë bordi të ZRRE-së

Vendimet e bordit të ZRRE-së, i kanë shkuar shumë për shtati kësaj kompanie. Pasi që Bordin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, e udhëheqin ish-menaxherët e KEDS-it.

Vendimet në favor të tyre i marrin ish-punëtorët, Petrit Pepaj, Izet Rushiti, Selman Hoti, shkruan Insajderi.

Petrit Pepaj dhe Izet Rushiti kanë qenë të dy menaxher të lartë në KEDS. Pozitë të menaxherit në kompaninë turke kishte pasur edhe Selman Hoti.

Të tre këta ish-menaxher u emëruan anëtarë të bordit të ZRRE-së, ani pse kundër emërimit të tyre kishin dal edhe britanikët. Kishin konstatuar se ishin të pakualifikuar për të qenë anëtarë të saj

Por pavarësisht vërejtjeve, Kuvendi i Kosovës në mars të këtij viti, kishte votuar për emërimin e Selman Hotit dhe Izet Rushitit.

Të dy anëtarët e ri të ZRRE-së ishin vlerësuar me pikë minimale krahasuar me katër kandidatët e tjerë nga komisioni vlerësues në të cilin bënte pjesë edhe partneri i Ambasadës Britanike.

ZRRE-ja udhëhiqet nga ish-menaxherët e KEDS-it

Skandali me njësorët e energjisë elektrike

KEDS ishte përfshirë edhe në një skandal tjetër.

Përmes njehsorëve elektrikë digjitalë të tipit “AEF.TF-01” të prodhuesit turk “Kohler” ajo po vidhte konsumatorët. KEDS-i i kishte montuar  njësorët elektrik “Kohler” tek rreth 25 mijë konsumatorë.

U konstatua se këta njësorë nuk i plotësojnë kriteret ligjore të parapara në vendin tonë. Prokuroria nisi hetimet në prill të vitit 2014.

Në dhjetor të atij viti me vendim të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë iu mor licenca prodhuesit “Kohler”.

Në muajin prill 2015,  u arrestuan tre zyrtare të MTI-së respektivisht nga Agjencia e Metrologjisë e Kosovës.

Aktakuza ndaj Vjollca Ajvazit, Drita Hamitit dhe Avni Alidemajt u ngrit nga Prokuroria Themelore e Prishtinës më 6 tetor 2015.

Në maj të këtij viti Gjykata Themelore në Prishtinë i dënoi nga gjashtë muaj burg dy të akuzuarit në rastin e njohur si ‘Kohler’-ët.

Zyrtarja e Metrologjisë në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Vjollca Ajvazi, si dhe zyrtari i KEDS-it, Avni Alidemaj, janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar me nga 6 muaj burgim me kusht në lidhje me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar ndërsa për veprën penale mashtrim i blerësve në mungesë të provave janë liruar nga aktakuza.

KEDS ishte dënuar edhe për keqpërdorim të të dhënat personale

Gjykata Themelore në Prishtinë, para tetë muajve e ka dënuar Kompaninë Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike, për shkelje të Ligjit për Mbrojtjen e të dhënave dhe shkelje të privatësisë së individit.

E kishte me 9 mijë euro, për shkak të mosmarrjen e masave për parandalimin e qasjes së paautorizuar në të dhënat personale të konsumatorëve.

“Me kërkesë të Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, të iniciuar më 22 qershor 2016, për fillimin e procedurës kundërvajtës ndaj KES/CO, më 09 mars 2018, Divizioni për Kundërvajtje i Gjykatës Themelore në Prishtinë, shqiptoi gjobën prej €9.000 meqë kjo kompani, me rastin e shpërndarjes së faturave të energjisë elektrike, nuk kishte bërë zarfimin e tyre, përkatësisht nuk kishte marrë masa të sigurisë për të parandaluar çfarëdo qasje të paautorizuar në të dhënat personale të konsumatorëve të saj”, thuhet në njoftimin e AShMDhP-së, raporton Insajderi.

Gjykata ka konstatuar se kjo mënyrë e përpunimit të të dhënave personale, duke mos parandaluar qasjen e paautorizuar në leximin e të dhënave personale gjatë transmetimit të tyre, bie ndesh Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

KEDS dënohet me 9 mijë euro për qasje të paautorizuar në të dhënat personale