Skandali i pranimit në kolegje amerikane nxjerr në pah pabarazinë

Në Shtetet e Bashkuara më shumë se 50 vetë janë akuzuar deri tani lidhur me skandalin e pranimit në universitete.

Skandali i pranimit në kolegje amerikane nxjerr në pah pabarazinë

Skandali zbuloi përpjekje të fshehta të një spektri të gjerë ku prindërit përpiqeshin t’u siguronin fëmijëve të tyre pranime në universitetet më të mira amerikane. Dalja në skenë e skandalit ka nxitur debate të gjera mbi pabarazinë në arsimin e lartë.

Disa yje të Hollivudit janë mes dhjetëra njerëzve të akuzuar në një nga skandalet më të mëdha të vendit për pranimet në universitete.

Të pandehurit akuzohen se kanë paguar trajnerët dhe administratorët e kolegjeve në shkëmbim të pranimit të fëmijëve të tyre në shkollat elitare si “Yale” dhe Universiteti i Kalifornisë Jugore.

Për kryerjen e pagesave të dyshuara janë përdorur shoqata të rreme bamirësie.

Skandali është një prej simptomave të një gare gjithnjë e më të vështirë për pranimin në kolegje, thotë autori Dan Golden, i cili ka shkruar gjerësisht mbi këtë temë për më shumë se një dekadë. Aktualisht ai punon me organizatën jofitimprurëse “ProPublica” me seli në Nju Jork.

Tani për tani, Departamenti i Drejtësisë nuk po ndjek penalisht universitetet e përfshira, duke thënë se ato ishin vetë viktima të skandalit dhe nuk kishin dijeni për mashtrimet. Por ekspertët thonë se skandali dëmton prestigjin e shkollimit në një universitet elitar.

Ndërsa këtë pranverë maturantët hedhin vështrimin drejt shkollimit të lartë, gara për pranimin në kolegjet amerikane po bëhet gjithnjë e më konkurruese.