“Socialdemokracia po fiton ndaj neoliberalizmit” – Kurti ‘hyn’ në politikën e SHBA-së

“Socialdemokracia po fiton ndaj neoliberalizmit” – Kurti ‘hyn’ në politikën e SHBA-së

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka shkruar në rrjetin social Facebook, se si, sipas tij, socialdemokracia është duke triumfuar në politikat botërore.

Kurti, mori shembuj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si senatorin Sherrod Brow, Stacey Abrams, Robert O’Rourke dhe disa të tjerë.

Kryetari i VV-së, u shpreh se me këta shembuj po tregohet që socialdemokracia po fiton terren përballë neoliberalizmit.

Postimi i tij i plotë:

E djathta e braktisi ideologjinë e globalizmit neoliberal, shkaktaren e krizës ekonomike ku jetojmë prej 10 vjetësh. Tash është momenti që edhe e majta ta braktisë neoliberalizmin, qoftë ky edhe i maskuar si “third ëay”. Lajme optimiste për një politikë pranë problemeve reale të popullit, e që synon t’i zgjidhë ato, vijnë edhe nga Partia Demokratike në ShBA, ku po shtohen numrat e politikanëve socialdemokratë.

Që nga senatori progresist Sherrod Broën i Ohajos, te kandidatja për guvernatore të Xhorxhias, Stacey Abrams, te kongresmeni Robert O’Rourke i Teksasit që po garon për senator përballë një emri të rëndë të republikanëve, Ted Cruz, te kongresmeni Conor Lamb që fitoi para disa muajve zgjedhjet në Pensilvani, e deri te befasia e fundit, për të cilën po flitet në të gjitha qarqet socialdemokrate e progresiste, Alexandria Ocasio Cortez, të gjithë këta po punojnë që politika të kthehet te detyra e saj primare, plotësimi i nevojave të qytetarëve për punësim të dinjitetshëm e qasje në shërbime cilësore.

Alexandria Ocasio Cortez është një aktiviste e re, grua punëtore që vjen prej një familje punëtorësh, e cila fitoi garën e brendshme përballë një kongresmeni me dhjetë mandate eksperiencë, dhe tashmë do të jetë kandidate e Partisë Demokratike në Nju Jork, për Kongresin e ShBA-ve. Në spotin e saj elektoral ajo thoshte: “qiraja gjithnjë e më e shtrenjtë, shërimi gjithnjë e më i vështirë, e pagat njësoj”. Ky është konteksti shoqëror që Alexandria Ocasio Cortez dëshiron të ndryshojë konteksti i shtresës së ulët e të mesme, të cilët neoliberalizmi i la të papërfaqësuar në politikë.

Këtë garë ajo e fitoi pa financime të mëdha, por vetëm me ndihma të vogla, me një platformë elektorale shumë interesante. Ajo ka premtuar se do të angazhohet për kujdes shëndetësor falas e për të gjithë, po ashtu për universalizim të arsimit falas. Por jo vetëm kaq, ajo e ka edhe një ide të politikave të punësimit, për të cilat kemi kaq shumë nevojë, ajo ka menduar për një “Neë Deal” të ri, me investime për rigjenerimin e infrastrukturës. Me një program taksimi e rishpërndarjeje progresive, ajo fitoi besimin e votuesve demokratë amerikanë, të cilët i kishte njohur më parë si aktiviste dhe organizatore e fushatës së progresistit Bernie Sanders.

Me shembuj si Alexandra Ocasio Cortez, dhe të shumë progresistëve të të gjitha moshave, gjinive e prejardhjeve, socialdemokracia fiton terren përballë neoliberalizmit.