Sokol Zogaj reagon pas dënimit me 2 vjet burgim të Burim Zhjeqit

Sokol Zogaj reagon pas dënimit me 2 vjet burgim të Burim Zhjeqit

Ish-drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Sokol Zogaj, i cili u sulmua nga tre persona në muajin gusht të vitit të kaluar, e ka konsideruar të ulët dënimin me 2 vjet burgim të Burim Zhjeqit, njërit prej sulmuesve të tij.

Në një bisedë telefonike me Insajderin, Zogaj tha se nuk e ka pranuar fajësinë e deklaruar nga Zhjeqi në seancën gjyqësore.

“Me pranimin e fajësisë nga ai, Gjykata i ka marrë këto si rrethana lehtësuese. Mirëpo pa marrë parasysh unë pafajësinë që ai e ka bërë publike unë nuk e kam pranuar. Unë mendoj se ai dënim është shumë i vogël”, ka thënë Zogaj.

Me këtë rast, Zogaj ka thënë se ndaj këtij vendimi do të ankohet në shkallën e dytë të Gjykatës.

“Unë tash do të ankohem ndaj këtij vendimi në Apel, në shkallën e dytë të Gjykatës”, është shprehur Zogaj, teksa ka thënë se këto fjalë i ka thënë edhe publikisht në seancën gjyqësore ndaj Zhjeqit.

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm shpalli sot aktgjykimin kundër të akuzuarit Burim Zhjeqi. Gjykata vendosi ta dënonte Zhjeqin me burgim në kohëzgjatje prej dy viteve për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar” gjatë kryerjes së detyrave zyrtare. /Insajderi.com