Sot Kosova dështoi të anëtarësohej në Interpol, nesër Putini mund ta rrisë pushtetin aty

Sot Kosova dështoi të anëtarësohej në Interpol, nesër Putini mund ta rrisë pushtetin aty

Teksa Kosova nuk arriti sot të bëhej vend anëtar i INTERPOL-it, pasi që nuk mori shumicën e nevojshme prej dy të tretave të votave të vendeve pjesëmarrëse të kësaj organizate, nesër në Asamblenë e Përgjithshme të INTERPOL-it do të votohet për kreun e ri të kësaj organizate.

Pikërisht të mërkurën në INTERPOL mund të rrisë pushtetin presidenti rus, Vladimir Putin, pasi një zyrtar i qeverisë së tij, Aleksandr Prokopchuk është kandidat serioz për t’u zgjedhur në krye të INTERPOL-it.

E për këtë ngjarje janë mobilizuar shtetet demokratike perëndimore për të refuzuar zgjedhjet e Prokopchuk në krye të INTERPOL-it, mbi frikën se Moska mund të abuzojë me këtë rol dhe t’i kundërvihet kundërshtarëve të saj politik, raporton Newsweek.

Kremlini ka mohuar “ndërhyrjet” e mundshme në votimin i cili është vendosur për të mërkurën në mbylljen e konferencës vjetore të Interpolit në Dubai, shkruan Insajderi.

Madje një shtet i botës demokratike po konsideron largimin nga INTERPOL-i. Lituania është shteti fqinj i Rusisë, i cili po konsideron daljen nga INTERPOL-i, nëse në krye të kësaj organizate vjen Aleksandr Prokopchuk.

Parlamenti i Lituanisë ka miratuar sot një rezolutë që thekson se Lituania do largohet nga INTERPOL-i nëse në krye të organizatës zgjedhet Prokopchuk.

Me 88 vota për dhe asnjë kundër, Parlamenti i Lituanisë votoi rezolutën, e cila e konsideron Aleksandr Prokopchukun një person jo të denjë për pozitën e kreut të INTERPOL-it.