Sot mblidhen “Prishtinalitë e vjetër” – ftohen “pinjollët” t’i bashkohen grupit

Sot mblidhen “Prishtinalitë e vjetër” – ftohen “pinjollët” t’i bashkohen grupit

Dy ish-deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bardhyl Meta dhe Muhamet Mustafa, duket ta kenë marrë me seriozitet iniciativën për krijimin e një “asociacioni” për t’i bashkuar në një vend “Prishtinalitë e vjetër”.

Mbrëmë, Meta përmes një statusi në Facebook, ka njoftuar se “një grup iniciues po punon në ngjizjen, respektivisht, themelimin e një Bashkësie–Shoqate, Klubi apo Asociacioni të Prishtinalive të vjetër, banorë të kahershëm të qytetit me rrethinë”.

“Për këtë arsye, Ju lus të gjithëve që jeni pinjoll, respektivisht keni prejardhje nga Familjet e vjetra Prishtinase, të më lajmëroheni në Inbox, në mënyrë që t’Ju kyçim në aktivitetet themeltare”, ka shtuar ai.

“Gjithashtu, ftoj familjarët, e mbi 300 të pushkatuarve (381 t’pushkatuar!), të vrarëve fill pas luftës dytë botërore nga Komunistët serbo-sllav pranë Tauk Bahçes, në vendin që Prishtinalitë e quajnë “Strelishte” (“vend-pushkatimi”)!”.

Kolegu i tij partiak, Muhamet Mustafa, ka njoftuar se sot do të mbahet takimi “i një grupi incizues të projektit”.

“Dera është e hapur për të gjitha ata që kane dëshire t’i japin fryme, zhvillim, metropolizëm Prishtinës sonë të dashur dhe qe e ndiejnë veten, e perafoqjne indentitetin e Prishtinës, në aspektin e traditës dhe të Prishtinës moderne. Të dyja do ti pajtojmë dhe ishalla Zoti na ndihmon që tash e tutje ti japim edhe ne vulën Prishtinës sonë të dashur”, i ka komentuar Mustafa kolegut të tij në Facebook.

Më 13 qershor të këtij muaji, ish-deputeti Mustafa njoftoi se do të largohet nga politika, edhe nëse arrin që të bëhet deputet në Kuvendin e Kosovës. Në njoftimin për “pensionimin” e tij, ai tregoi edhe idenë për inicimin e këtij grupi.

“Ndaj pa marrë parasysh se a do të kem mjaft vota për të marrë serish pozitën e deputetit apo jo, kam vendosur të tërhiqem nga aktiviteti i drejtpërdrejtë politik në institucione. Kam vendosur që në vitet që vijnë, aq sa do të kem shëndetin dhe mundësitë tu përkushtohem tri projekteve : Punës në Riinvest, Konsolidimin e Qendrës Shqiptare për Studime Strategjike dhe mbështetjen për themelimin e një Klubi apo Asociacioni të Prishtinalive”, ka shkruar Mustafa./Insajderi.com