
Gjykatësi i procedurës paraprake në Gjykatën Speciale, Nicolas Guillou, ka aprovuar ankesën e avokatit të kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati si dhe nënkryetarit të kësaj organizate, Nasim Haradinajt.
Gucati dhe Haradinaj ishin ankuar për aktakuzën e ngritur ndaj tyre, duke e bazuar atë mbi dyshimet lidhur me shkeljet e mundshme ligjore që mund të ishin bërë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Lënda ka kaluar në Gjykatën e Apelit që funksinon në kuadër të Gjykatës Speciale.
Në konkluzion, gjykatësi tha se dyshimet e ngritura nga avokatët e Gucatit e Haradinajt do të ndikonin në rrjedhën e procedurave të gjykimit mbi ta.
“Në dritën e asaj që u tha sa më sipër, gjyqtari i procedurës paraprake konstaton se Pesë Çështjet do të ndikojnë ndjeshëm në zhvillimin e drejtë dhe të shpejtë të procedurave dhe një zgjidhje të menjëhershme nga Gjykata e Apelit në lidhje me to mund t’i përparojë materialisht procedurat. Gjykatësi i Procedurës Paraprake në përputhje me rrethanat vërteton Pesë Çështjet nën parametrat e dhënë në paragrafin 21”, thuhet në arsyetimin e vendimit.
Gjykatësi Guillou i ka kërkuar Apelit që sa më shpejt ta japë një verdikt për çështjet e ngritura nga Gucati e Haradinaj./Insajderi.com