Specialja refuzon katër persona të cilët u paraqitën si viktima të Salih Mustafës

Specialja refuzon katër persona të cilët u paraqitën si viktima të Salih Mustafës

Gjykatësi i procedurës paraprake në Gjykatën Speciale, Nicolas Guillou, ka marrë vendim që t’ua refuzojë aplikimet katër personave të cilët janë paraqitur për t’u bërë pjesëmarrës në procesin gjyqësor kundër ish-eprorit të UÇK-së, Salih Mustafa, njofton Insajderi.

Kjo u bë e ditur përmes një njoftimi nga Zyrat e Specializuara.

Sipas këtij njoftimi, Guillou po ashtu ka urdhëruar që këta emra dhe çdo informacion identifikues i tyre të mbahet konfidencial.

Katër persona janë paraqitur si viktima dhe kanë aplikuar përmes postës elektronike për t’u bërë pjesëmarrës në procesin gjyqësor kundër Mustafës.

Sipas raportit që Zyra për pjesëmarrjen e viktimave i ka dorëzuar gjykatësit Nicolas Guillou, tre nga personat që u paraqitën si viktima vijnë nga e njëjta familje.

“Sa i përket numrit të aplikimeve, kohës dhe mënyrës së pranimit të tyre, ZPV parashtron se, deri në datën e Raportit të saj të Parë, ka marrë, përmes postës elektronike katër kërkesa nga personat që aplikojnë për pranim në procedurë si viktima pjesëmarrëse. Sa i përket plotësisë së aplikacioneve, ZPV parashtron se tre aplikantët nga e njëjta familje (Viktimat 01/05, 02/05 dhe 03/05) nënshkruan dhe paraqitën kolektivisht një formular aplikimi, të cilin ZPV e regjistroi si tri aplikacione të ndryshme. Një aplikant i katërt (Viktima 04/05) paraqiti dhe nënshkroi një formular të aplikimit. ZPV më tej vëren se asnjë nga aplikantët nuk paraqiti dokumentacionin përkatës dhe të nevojshëm, dhe atë, pas vlerësimit të të gjitha kritereve e pranueshmërisë, ZPV nuk e konsideroi të nevojshme t’u kërkonte aplikantëve të plotësojnë aplikacionet e tyre dhe t’i mbështesin ato me dokumentacionin e kërkuar”, thuhet në vendimin e Speciales.

Gjykatësi Guillou ka vlerësuar se viktimat e paraqitura kanë përshkruar akte që nuk kanë lidhje gjeografike dhe kohore me krimet për të cilat akuzohet ish-eprori i UÇK-së, Salih Mustafa.

Sipas zyres për pjesëmarrjen e viktimve aplikuesit nuk kanë kërkuar masa mbrojtëse, me përjashtim të njërit, që ka kërkuar që informacioni i tij identifikues të mos zbulohet për publikun.

“Sa i përket masave mbrojtëse, ZPV parashtron që Viktimat 01/05, 02/05 dhe 03/05 nuk kërkojnë masa të tilla, ndërsa Viktima 04/05 kërkon që informacioni identifikues të mos zbulohet për publikun”, thuhet në vendimin e Speciales.

Kjo Zyrë i ka rekomanduar gjykatësit të procedurës paraprake që t’i refuzojë këto katër aplikacione, pasi asnjëri prej tyre nuk kishin ofruar dokumentacion të nevojshëm.

Sipas këtij vendimi, gjykatësi ka vlerësuar se viktimat kanë përshkruar ngjarje që kanë ndodhur disa vjet pas fushëveprimit kohor të aktakuzës kundër Mustafës.

“Për sa i përket Viktimave 01/05, 02/05 dhe 03/05, Gjykatësi i Procedurës paraprake vëren se krimet e përshkruar nga tre aplikantët kanë të bëjnë me ngjarje që kanë ndodhur disa vjet pas fushëveprimit kohor të krimeve për të cilat akuzohet, përfshin një vendndodhje që është jashtë vendit nga shtrirja gjeografike e të njëjtave akuza dhe nuk duket se kanë të bëjnë me të Akuzuarin. Prandaj, Gjyqtari i Procedurës Paraprake konstaton se aplikimet e Viktimave 01/05, 02/05 dhe 03/05 janë të papranueshme”, thuhet në vendim.

Ndërsa për viktimën tjetër të paraqitur, thuhet se ka përshkruar ngjarje që nuk lidhen gare me akuzat ndaj Salih Mustafës.

“Sa i përket Viktimës 04/05, Gjyqtari i Procedurës paraprake vëren se dëmi i përshkruar nga aplikanti ka të bëjë me ngjarje plotësisht të palidhura me akuzat, asnjëra prej të cilave nuk duket se të jetë i lidhur me të Akuzuarin. Prandaj, Gjyqtari i Procedurës paraprake konstaton se aplikimi i Viktimës 04/05 është i papranueshëm”, thuhet tutje në vendim.

Më 24 shtator 2020, Salih Mustafa u arrestua me një urdhërarrest të lëshuar nga Guillou dhe po mbahet në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit./Insajderi.com