S’po më vyjnë paret tua

Shtetet shqiptare duhet t’i ndalojnë me ligj dhuratat e vendeve autoritare. Ato s’mund ta ndihmojnë veten, e po na ndihmojnë ne.

S’po më vyjnë paret tua

Të varfra e të dobëta, shtetet shqiptare rrinë me dorë shtritë duke pritë paren e ndihmës së huaj. Qeveritë tona pranojnë prej thuajse kujtdo, dhe pandehin se po i bëjnë mirë popullit. Por — është fshehtësi publike — lekët e vendeve autoritare po na e prishin shoqërinë.

Përhapin ideologji jotolerante, mbështesin grupe politike që nxisin përçarje e urrejtje, dhe lëkundin lidhjet tona me aleatët perëndimorë. Qebesa, çojnë dhe në radikalizim të dhunshëm.

Vendet tona kanë ligje kundër shpërlarjes së parave dhe nancimit të terrorizmit. Por përveç që nuk zbatohen kënaqshëm, ato ligje nuk i ndalojnë as në letër mjetet që zyrtarisht vijnë përmes agjencive të shteteve të huaja për ndihmën ndërkombëtare.

Andaj, qeveritë tona dhe shoqëria civile duhet të bashkëpunojnë me gjetë formulën që funksionon për të na mbrojtë nga «ndihma» dashakeqëse. Kuptohet, s’japim dot përgjigje të thjeshtë. Por thelbi është me i ndalu me ligj dhuratat nga shtetet jodemokratike.

Për mirësjellje, akti i Kuvendit do përdorte ndonjë eufemizëm: p.sh., “shtete të shuara”, që mund t’i përkuzojmë si shtete me vështirësi përmbajtjesore në sundimin e ligjit, luftimin e korrupsionit, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, dhe në përgjithësi konsolidimin e institucioneve demokratike. Por për me kry punë, dhe me iu shmangë trysnisë politike, ligji do ua lente në dorë akademikëve me caktu se cilat shtete janë vërtet të sdueme.

Për orientim, u qasemi ranguesve ndërkombëtarë të lirisë, demokracisë, e sundimit të ligjit në shtetet e botës. Dhe prej tyre nxjerrim një notë mesatare që i dallon vendet që mund të na përkrahin prej atyre që s’po u ndihmojnë dot as vetes.

Qe, t’i njehim disa burime të besueshme:

(1) Organizata Freedom House boton raportin vjetor “Liria në botë” (Freedom in the World), që i klasikon shtetet si të lira, pjesërisht të lira, dhe jo të lira, mbasi e mat gjendjen e të drejtave qytetare e politike në ato vende. Freedom House vëzhgon edhe lirinë e medieve në rruzull.

(2) Revista The Economist e nxjerr treguesin e demokracisë (Democracy Index), që i ndan shtetet në demokraci të plota, demokraci me të meta, regjime hibride, dhe regjime autoritare.

(3) Organizata Transparency International e boton treguesin e perceptimit të korrupsionit (Corruption Perception Index), tue i notu shtetet “në një shkallë prej 0 (shumë të paqta) deri në 100 (tejet korrupte)”.

(4) Instituti Ndërkombëtar për Demokraci dhe Ndihmë Zgjedhore, i njohur me nistoret anglisht si Idea, gjithashtu po përgatit një vlerësim të hollësishëm për gjendjen e demokracisë nëpër botë. Rangimi i Ideas pritet me dalë këtë vjeshtë.

Natyrisht, asnjë tregues s’është krejt pa huqe, dhe nuk duhet me qenë vendimtar i vetëm. Por kur këqyrim burime të ndryshme, dhe një shtet vijimisht na del në fund të pusit për liri e rend, zor se mun presim prej tij me i ngritë përpjetë vendet tona të vobekta.

Me gjasë, ka me na shatë e mbytë krejt, andaj lypet me ia këputë hovin qysh tash! Madje jemi vonë.

Që mos me mbetë ky ligj veç fjalë e pabëshme, shkelësit s’duhet të kalojnë pa pasoja. Ligji mund të parashohë ndëshkime të rënda për vepra që do t’i emërtonte krime ndaj demokracisë, dhe që do përfshinin pranimin e peshqesheve prej shteteve autoritare.

Nuk ka formulë të thjeshtë. Por mund ta përftojmë bashkërisht për hir të lirisë sonë.

Thuj, “s’po më vyjnë paret tua”. Shqipëria, Kosova, e Maqedonia s’mund të ndërtojnë kurrë shtet të së drejtës dhe shoqëri të hapur e demokratike me ndihmën e mbretërive të robëruara e të korruptuara. Pares së këtyre shteteve të mbrapshta duhet me i thënë jo sa më parë, nëse duam me dalë ndonjëherë në udhë të mbarë na vetë.

*Getoar Mjeku është avokat në Teksas.