Sqarimi i Presidencës: Pse morën shtetësi shqiptare dy indianët mashtrues

Sqarimi i Presidencës: Pse morën shtetësi shqiptare dy indianët mashtrues

Presidenca ka sqaruar për herë të parë arsyet se pse dy biznesmenët indianë të arrestuar për mashtrim, Nitin Jayantilal Sandesara dhe Chetankumar Jayantilal Sandesara, përfituan shtetësinë shqiptare.

Zëdhënësi i Presidentit të Republikës, Tedi Blushi sqaron, se:

“Janë zbatuar procedurat ligjore bazuar në pikën 7, të nenit 9 të ligjit nr. 8389, datë 05.08.1998 “Për shtetësinë shqiptare” të ndryshuar, me propozimin e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, “për shkak të eksperiencës në investime dhe historikut të sipërmarrjeve të suksesshme jashtë Republikës së Shqipërisë dhe për shkak të angazhimit të tyre për realizimin e investimeve të rëndësishme elitare në vendin tonë”.

Bazuar në pikën 6, të nenit 9 të ligjit për shtetësinë, janë bërë verifikimet përkatëse nga agjencia ligjzbatuese nga e cila nuk kanë rezultuar të dhëna problematike për dhënien e shtetësisë shqiptare”.