Sqarohet UP: Nuk kemi pranuar njoftim zyrtar për lirimin e studentëve nga pagesat për semestër

Sqarohet UP: Nuk kemi pranuar njoftim zyrtar për lirimin e studentëve nga pagesat për semestër

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka dalë me një njoftim lidhur me lajmet që janë shpërndarë në rrjetet sociale gjatë së mërkurës, se është arritur marrëveshje që nga semestri i dytë ligjëratat të mbahen fizikisht, si dhe studentët të lirohën nga pagesa e semestrit për nivelin bachelor, njofton Insajderi.

Me anë të një komunikate për media, nga UP-ja kanë thënë se deri tani nuk kanë pranuar ndonjë shkresë zyrtare nga ana e institucioneve përgjegjëse për ndryshim të organizimit mësimor.

Po ashtu, ata kanë thënë se nuk ka vendim zyrtar për ndryshim të vlerës së pagesave.

“Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” njofton studentët, stafin akademik dhe administrativ, si dhe palët e interesuara që deri me tani nuk kemi pranuar ndonjë shkresë zyrtare nga instancat përgjegjëse për ndryshim të organizimit të procesit mësimor në UP, në rrethanat e pandemisë Covid-19. Njëherësh, në adresën e UP-së nuk është përcjellë ndonjë vendim zyrtar për ndryshim të vlerës së pagesave për studentët tanë”, thuhet në komunikatën për medie.

Tutje bëhet e ditur se UP-ja deri në pranimin e vendimeve zyrtare nga organet kompetente, do të vazhdojë implementimin e vendimeve në fuqi./Insajderi.com