Stacioni i autobusëve humbi gjysmë milion euro shkaku i pandemisë

Stacioni i autobusëve humbi gjysmë milion euro shkaku i pandemisë

Situata e pandemisë dhe masat kufizuese që ishin ndërmarrë kundër virusit Corona, i ka shkaktuar dëme të mëdha edhe Stacionit të Autobusëve në Prishtinë.

Drejtori i stacionit të autobusëve në Prishtinë, Luan Hoti, ka thënë se situata financiare në stacionin e autobusëve ka qenë shumë e vështirë, gjë që ka rezultuar me humbje të afër gjysmë milion euro në këtë ndërmarrje.

“Duke pasur parasysh që peronizimi është shërbimi kryesor i cili ne krijojmë të hyrat kryesore për ndërmarrjen, ku shërbimi i peronizimit na sjellë më shumë se 60 përqind të të hyrave, edhe ne nëse analizojmë se kemi rënie për afërsisht prej 50 përqind, normal që kjo humbje është rreth 50 përqind në totalin e të gjitha të hyrave, pra nëse përafërsisht të hyra kemi rreth 1 milion, atëherë për një vit besoj që humbjet janë rreth gjysmë milioni”, ka thënë Hoti.

Hoti ka thënë se gjatë periudhës 6 mujore të këtij viti ka pasur rënie të mëdha të linjave ndër urbane dhe atyre ndërkombëtare.

“Sipas analizave të cilat i kemi bërë, apo statistikave të cilat janë të paraqitura në raportet tona tre mujore dhe gjashtë mujore shihet qartë që në krahasim me vitin e kaluar në periudhën gjashtë mujore kemi rënie të mëdha të linjave, si atyre ndërkombëtare por edhe atyre ndër urbane. Pra sipas shënimeve të cilat i kam, të cilat i kam marrë nga departamenti i caktuar i cili merret me analizimin e linjave, sa i përket linjave ndër urbane kemi rreth 41 për qind me pak linja të mbajtura në krahasim me vitin e kaluar, po ashtu e njëjta situatë është edhe me linjën ndërkombëtare ku kemi rreth 47 për qind linja më pak ndërkombëtare, në krahasim me vitin e kaluar. Pra po flasim për periudhën kohore, 1 janar deri 30 qershor të këtij viti”, ka thënë Hoti. /Insajderi.com