
Stafi i dekanit të Fakultetit të Edukimit, Ethem Çeku kërcënoi profesoreshën e lëndës së MNjNM-së në Fakultetin e Edukimit Valbona Berishën, pasi ajo e ngriti zërin kundër mbrojtjes së temës së diplomës nga një studente në mënyrë të dyshimtë.
Insajderi qëndroi në Fakultetin e Edukimit të martën e 12 korrikut, kur kishte mbrojtur temën e diplomës në mënyrë të dyshimtë studentja A.R..
Pikërisht në ditën e diplomimit të studentes A.R. dhe qëndrimit të Insajderit në Fakultetin e Edukimit, profesoresha Valbona Berisha kishte marrë kërcënime nga stafi i Ethem Çekut.
“Po doli diçka në publik, do të ngriten procedura ndaj teje”, ishte mesazhi drejtuar asaj.
Insajderi ka siguruar biseda të realizuara përmes adresës elektronike ndërmjet profesoreshës Berisha dhe dekanit Çeku, të cilat dëshmojnë se profesoresha 49-vjeçare është kërcënuar të martën e 12 korrikut.
“Dje, në orën 10.25 minuta, prej telefonit zyrtar të dekanit të FE-du, mora një telefonatë nga njëra prej anëtarëve të stafit mirëmbajtës të Fakultetit – Igballja – e cila në emër të dekanatit mu kërcënua, duke thënë: ‘po doli diçka në publik, do të ngrihen procedurat kundër teje’”, thuhej në një e-mail që Valbona Berisha i ka dërguar Ethem Çekut të mërkurën e 13 korrikut.
Në këtë e-mail, ajo i kërkonte dekanit që të mbante një qëndrim dhe, eventualisht, të merrte masa ndaj autorëve të këtij kërcënimi.
Çeku i shprehu asaj keqardhje për telefonatën që ishte regjistruar nga zyra e tij dhe tha se mund t’ia dëshmonte se ai nuk ishte porositës i kërcënimit.
“Me vjen keq për telefonatën, por ju garantoj dhe mund t’ua dëshmoj se asnjë telefonatë nuk është kërkuar nga dekanati drejtuar prof. Valbona Berisha”, shkruante Çeku në e-mail drejtuar Berishës, teksa mohonte faktin që mediat nuk ishin lejuar në procesin e mbrojtjes së diplomave në fakultet.
Megjithatë, dekani i fakultetit nuk mori masa për telefonatën kërcënuese që profesoresha Berisha pranoi nga telefoni i stafit të tij. /Insajderi.com
Për të lexuar hulumtimin:
Diplomimi i dyshimtë i studentës – profesoresha bën kallëzim penal ndaj rektorit Dema e dekanit Çeku