Për stagnimin e procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën, Insajderi ka tentuar të marrë një përgjigje nga ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, megjithatë gazeta nuk ka arritur të kontaktojë me të apo me dikë tjetër nga kjo ministri.

Teksa Komisioni Evropian nuk ka njoftuar ende lidhur me përmbushjen e kriterit të fundit të Kosovës për liberalizimin e vizave, ky proces ka stagnuar edhe në Parlamentin Evropian.
Komisioni për Liritë Qytetare, Drejtësi dhe Punë të Brendshme (LIBE) i Parlamentit Evropian e ka tërhequr nga rendi i ditës për këtë 10 korrik çështjen e rekomandimit të vizave për Kosovën, si pasojë e mungesës së njoftimit nga Komisioni Evropian lidhur me përmbushjen e kritereve nga ana e Kosovës.
Siç raportoi sot Koha Ditore, në rast se ky komision do të votonte për rekomandimin e vizave për Kosovën, pastaj votimi do të bëhej edhe në seancë plenare në shtator. Por tash kjo është hequr nga rendi i ditës, pasi nuk ka ardhur ende njoftimi nga Komisioni Evropian se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret.
Për stagnimin e procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën, Insajderi ka tentuar të marrë një përgjigje nga ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, megjithatë gazeta nuk ka arritur të kontaktojë me të apo me dikë tjetër nga kjo ministri.
Pas disa tentimeve për të kontaktuar ministren Hoxha, ajo ka kthyer një mesazh në adresë të Gazetës Online Insajderi, në gjuhën angleze.
“Më vjen keq, nuk mund të flas momentalisht”, shkruhej në mesazhin e ministres së Integrimeve Evropiane.
Ministrja Hoxha ka disa javë që e potencon se liberalizimi i vizave për Kosovën do të ndodhë “më së largu në fund të këtij viti”, ndonëse përfaqësuesit e Brukselit zyrtar nuk kanë dhënë asnjëherë afat për datën e mundshme të liberalizimit të vizave.
Në anën tjetër, kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Blerta Deliu-Kodra, ka thënë sot se Kosova ka përmbushur kriteret që qytetarët e saj të lëvizin lirshëm pa viza në shtetet e Bashkimit Evropian. Megjithatë, siç ka thënë ajo, Komisionit Evropian dhe institucioneve tjera të Bashkimit Evropian iu mbetet të marrin masa dhe të veprojnë konform këtij rekomandimi.
“Ka qenë edhe deklarata e Komisionerit për Zgjerim i BE-së, Johannes Hahn, që mendoj se është një deklaratë inkurajuese që e konfirmon që Kosova shumë shpejtë do të marrë rekomandimin pozitiv për liberalizim të vizave”, ka thënë Deliu-Kodra në një intervistë për Radio Evropën e Lirë.
Po ashtu, ajo ka thënë se “Kosova do ta marrë këtë rekomandim për shkak të përmbushjes së kritereve që i ka bërë për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës”.
Fundi i qershorit ishte premtuar nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, si afat kur Komisioni Evropian do të dilte me rekomandimin për liberalizimin e vizave. Nëse organet e BE-së rikonfirmojnë vullnetin e tyre për liberalizim të vizave, më pas u mbetet edhe vendeve anëtare të BE-së që të japin vendimet e tyre.
Kosova është vendi i vetëm i izoluar nga Zona Schengen në Evropë. /Insajderi.com