Stano thotë se po vazhdon puna për dialogun Kosovë-Serbi

Stano thotë se po vazhdon puna për dialogun Kosovë-Serbi

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka paralajmëruar se sapo të ketë një datë të caktuar për takimin e radhës midis Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, do të njoftohet edhe publiku.

Stano nuk ka dhënë ndonjë përgjigje të saktë rreth temës së krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, i cili thuhet të jetë bërë edhe shkak për moszhvillimin e takimeve midis Kosovës dhe Serbisë, pasi Kosova nuk dëshiron të diskutohet më për këtë temë, ndërsa Serbia insiston që ajo të trajtohet me prioritet.

Stano, para disa ditësh, ka thënë se Kosova e ka obligim për të krijuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe, sipas marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015, dhe se Prishtina duhet të vijë me propozim se si të zbatohet kjo pjesë e marrëveshjeve.

Por, në pyetjen se a duhet të krijohet Asociacioni sipas ligjeve të Kosovës dhe në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, ai nuk dha përgjigje të qartë, duke thënë se “rreth kësaj nuk ka asgjë të re për të shtuar”, njofton REL, transmeton Insajderi.

Edhe Qeveria gjermane, përmes zëdhënësit të saj, Steffen Seibert, ka thënë se ky Asociacion duhet të krijohet sipas ligjeve të Kosovës. Por, në Serbi nuk janë të interesuar për një gjë të tillë. /Insajderi.com