Strategjia e Qeverisë: Nga viti 2023 Kosova zvogëlon dukshëm ndotjen e ajrit nga Obiliqi

Strategjia e Qeverisë: Nga viti 2023 Kosova zvogëlon dukshëm ndotjen e ajrit nga Obiliqi

Edhe pse ende të larta, emetimet e liruara nga dy termocentralet në Obiliq kanë pësuar një rënie jashtzakonisht të ulët për shkak të investimeve të bëra nga KEK në vitin 2013. Sidoqoftë, ka ende shumë punë për t’u bërë me qëllim që parametrat e ndotjes të vazhdojnë rënien deri në nivelin e lejuar.

Kështu thuhet në strategjinë e miratuar të Kosovës për energji elektrike. Sipas studimeve, Kosova ishte subjekt i ndotjeve të mëdha të shkaktuara nga termocentralet e vjetra (Kosova A dhe B). Ndotjet më të larta ishin shënuar në vitin 2013, dhe ato në vlera të ndryshme janë zvogëluar dhe rritur gjatë viteve në vijim.

 Sipas parashikemeve, vlerat e emetimeve do të zvogëlohen dhe do të arrijnë kufinjtë e lejuar nga viti 2023, kur edhe bëhet një vit nga operimi i termocentralit të ri me kapacitet prej 500 megavatësh. Kësisoji, ‘Kosova e Re’ do të ndikojë në zvogëlimin e ndotjes së ajrit, ndotje kjo e shkaktuar nga impiantet e stërvjetërruara të Kosovës në Obiliq.

Vlerat marramendëse të emetimeve të liruara gjatë prodhimit të energjisë elektrike në Termocentralin Kosova A dhe B ndikojnë direkt në ndotjen e ajrit dhe në shëndetin e të gjithë banorëve të rrethinës. 

Tre shtete të Ballkanit, Kosova, Serbia dhe Maqedonia kryesojnë në Evropë për nivelin e lartë të vdekjeve nga ndotja e ajrit, në raport me popullsinë. 

Të dhënat, për vdekjet në vlerë absolute, janë publikuar së fundmi nga Agjencia Evropiane e Mjedisit në raportin “Cilësia e ajrit në Evropë – 2018” dhe janë përpunuar nga Monitor në raport me popullsinë e vendeve përkatëse. Informacioni i referohet vitit 2015. 

Kosova kishte 3,700 vdekje nga ajri i ndotur, që duke pasur parasysh popullsinë e saj prej vetëm 1.8 milionë banorësh e rendit atë të parën në Europë, ku ajri i ndotur ka bërë që të humbin jetën 0.2% e popullsisë. Në Serbi, ky tregues është 0.18% (rreth 13 mijë vdekje) dhe në Maqedoni 0.14% e popullsisë (3,000 vdekje), duke u renditur përkatësisht në vend të dytë dhe të tretë në Evropë.