
Studentët e Universitetit të Tiranës kanë vazhduar protestat e tyre edhe të shtunën kundër Qeverisë së Shqipërisë duke kërkuar uljen e tarifave të shkollimit dhe përmirësim në cilësinë e arsimit publik.
Për ditën e katërt me radhë, studentët kanë marshuar në kryeqytetin e Shqipërisë dhe kanë refuzuar thirrjet e institucioneve për dialog, duke thënë se nuk duan negociata, por vendime për përmbushje të kërkesave të tyre.
Ata kërkojnë ulje tarifash, përmirësim të cilësisë së arsimit publik, përmirësim të kushteve në konviktet ku ata jetojnë si dhe një sërë pikash të tjera që kanë të bëjnë me përfaqësimin e tyre në bordet administrative.
Një ditë më parë ata kanë qëndruar përreth 8 orë para ndërtesës së Ministrisë së Arsimit.
Si përgjigje ndaj protestës, të enjten, Ministria e Arsimit u pajtua të heqë pagesat për provimet e mbartura.
Ndërsa të premten, ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla u ka dhënë një shkresë zyrtare protestuesve duke thënë se do të rishikojnë kërkesat e tyre dhe do të ngrisin ekipe punuese për t’i adresuar ato.
“Nuk ka negociata” dhe “e duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, brohoritën studentët pasi panë këtë letër dhe thanë se nuk do të tërhiqen deri në përmbushje të plotë të kërkesave të tyre/Insajderi.com