Suksesi i filmit “Vulë” vuloset nga një sërë çmimesh kinematografike

Suksesi i filmit “Vulë” vuloset nga një sërë çmimesh kinematografike

Produksioni filmik “Vulë” me skenar dhe regji nga Valmir Tertini është shpërblyer me dy çmimet në edicionin e 14-të në “Ayodhya Film Festival”, festival që nderon përmbajtjet më tërheqëse dhe inovative, njofton Insajderi.

Filmi u nderua me ‘Filmi më i mirë i shkurtër’ dhe ‘Aktorja më e mirë’.

Në nëntor të këtij viti, ka marrë çmimin për filmin më të mirë dhe regjinë më të mirë edhe në “Chauri Chaura International Film Festival”.

Gjithashtu ky film ka marrë edhe çmimin për skenarin më të mirë në “New York True Venture Festival”.

Ky film flet për Viktorian, një punonjëse e papërgjegjshme në Ambasadën Gjermane në Prishtinë. E varur nga alkooli, dhe me mungesë të një partneri, bën një jetë geto. Ndërsa punën për të cilën i është besuar posti nuk i intereson fare dhe le dosjet e hapura pa firmosur. Si një punonjëse e papërgjegjshme, ajo i dha një vizë njëvjeçare një djali nga Kosova vetëm për shkak se kishte marrëdhënie seksuale me të. Ajo u shkarkua nga ambasada, dhe rastësisht, ata e shohin njëri-tjetrin në aeroport kur udhëtojnë për në Gjermani.

Për realizimit e filmit “Vulë” në të cilin janë bërë bashkë aktorë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia ka dhënë mbështetjen e saj edhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë në Shqipëri. /Insajderi.com