Në afërsi të zyrës së kandidatit për zëvendëspresident të Afganistanit, Amrullah Saleh, ka shpërthyer një bombë.

Sulm me bombë në afërsi të zyrës së kandidatit për zëvendëspresident

Sulm me bombë në afërsi të zyrës së kandidatit për zëvendëspresident

Në afërsi të zyrës së kandidatit për zëvendëspresident të Afganistanit, Amrullah Saleh, ka shpërthyer një bombë.

Ky sulm vjen pikërisht teksa në Afganistan sot nisi zyrtarisht fushata zgjedhore për zgjedhjet presidenciale të cilat do të mbahen më 28 shtator.

Saleh në këto zgjedhje po kandidon si zëvendës i presidentit aktual afgan, Ashraf Ghani.

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Nasrat Rahimi tha për Radion Evropa e Lirë se një sulmues është futur në ndërtesën e partisë së Saleh pas shpërthimit dhe është përleshur me forcat e sigurisë afgane.

Dëshmitarët thanë për Radion Evropa e Lirë se e kanë parë Salehun duke u evakuuar nga ky kompleks në Kabul, teksa brenda ndërtesës kishte përleshje të armatosur.

Sipas informacioneve të para, të paktën një person është vrarë nga shpërthimi i bombës dhe të paktën 13 të tjerë janë plagosur.

Askush deri më tani nuk e ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm, i cili ndodhi vetëm disa orë pasi Ghani nisi fushatën zgjedhore për zgjedhjet presidenciale duke insistuar se “paqja është duke arritur” dhe se bisedimet me talibanët “do të zhvillohen.

Këto komente Ghani i bëri gjatë një tubimi në Kabul. Ai po garon për një mandat të dytë në postin e presidentit. Në këto zgjedhje ai do të përballet me 17 kandidatë të tjerë.

Më herët sot gjatë ditës, talibanët hodhën poshtë një deklaratë nga një ministër afgan, i cili ka thënë se shpreson që gjatë këtij muaji, Qeveria afgane dhe talibanët do të zhvillojnë bisedime direkte.