Sulmi në Londër, heronjtë shqiptarë që shpëtuan jetë

Sulmi në Londër, heronjtë shqiptarë që shpëtuan jetë

Mark Stembridge lavdërohet si hero nga shtypi britanik, pas terrorit në “Urën e Londrës” dhe në “Borough Market”.

Pronari i një bar-restoranti në këtë lagje të kryeqytetit anglez arriti të shpëtojë 130 vetë nga histeria e agresorëve në rrugë, duke i strehuar në kafenenë e tij.

Stembridge sqaron se stafi i vet, gjysma e të cilit janë ish-ushtarakë nga Shqipëria, i kanë tërhequr njerëzit brenda nga veranda e barit, ndërkohë që drejt strukturës janë parë të vraponin personat e armatosur. Stembridge ia faturon 3 punjonësve të tij shqiptarë meritën e faktit që situata nuk shkoi më keq.

“Ishim me fat që pjesëtarë të stafit janë ish-ushtarakë. Ata e ruajtën mjaft mirë qetësinë. Kishim rreth 130 njerëz jashtë në verandë e i tërhoqëm të gjithë brenda. U siguruam që të ishin që të gjithë jashtë rrezikut. Ishin 3 tipa të armatosur jashtë, që erdhën duke bërtitur me të madhe, por hezituan të vepronin, kur panë që ne ishim në njëfarë mënyre të organizuar, e ndërruan drejtim. Ata zbritën poshtë urës duke shkuar drejt një tjetër bari”, thotë pronari.

Stembridge u drejtoi edhe një apel autoriteteve, që pronraët e bareve dhe restoranteve të stërviten më shumë për të tilla situata, ndërsa mendon gjithashtu se në klimën e krijuar, prania policore duhet të jetë më e madhe.