Sulmohen fizikisht dy roje të parkut kombëtar “Sharri”

Sulmohen fizikisht dy roje të parkut kombëtar “Sharri”

Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, ka njoftuar se dy roje të natyrës të Parkut Kombëtar “Sharri” në regjionin e Suharekës, janë sulmuar fizikisht nga grupe të organizuara dhe kanë marrë lëndime trupore.

Sic njofton agjencia të lënduar kanë mbetur Jemin Shala dhe Ali Dakaj.

Përvec sulmeve fizike ka pasur edhe gjuajtje me armë zjarri në drejtim të rojeve të natyrës në regjionin e Kaçanikut, krejt kjo sipas agjencisë pasi që janë intensifikuar prerjet ilegale të pyjeve ditëve të fundit.

“Në këto ditë kur është intensifikuar prerja ilegale e pyjeve në Parqe Kombëtare, rojet e natyrës së këtyre zonave të mbrojtura janë angazhuar maksimalisht për kontrollin e gjendjes dhe parandalimin e prerjeve dhe dëmtimit të vlerave natyrore të parqeve”.

“Mirëpo gjatë punës në terren rojet po përballen me probleme të natyrave të ndryshme përfshirë edhe sulmet fizike dhe gjuatjet me armë zjarri nga grupet e dëmtuesve të pyjeve që prerjen ilegale të pyjeve dhe tregtimin e drurit e kanë shndërruar në biznes”, thuhet në njoftimin e agjencisë.

Në lidhje me të dy rastet është informuar Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit të cilët janë duke hetuar rastet.

“Me këtë rast Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës përkatësisht Drejtoria për Administrimin e Parkut Kombëtarë “Sharri”, kërkon nga organet kompetente që me prioritet të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për sjelljen e këtyre personave para drejtësisë. Gjithashtu kërkohet që të ndërmerren masat e nevojshme për parandalimin e rasteve të tilla dhe ofrimin e sigurisë së nevojshme për rojtarët e natyrës”, thuhet në njoftim.

Agjencia po ashtu ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse të Qeverisë së Kosovës, që me qëllim të ruajtjes së resurseve të Parqeve Kombëtare, të shikojnë mundësinë e rritjes së numrit të rojeve të natyrës, pajisjen e tyre ma armë dhe kompensimin e rrezikshmërisë në punë.