Sulmohet me molotov prona e familjes së ministrit Memli Krasniqi

Sulmohet me molotov prona e familjes së ministrit Memli Krasniqi

 

Rreth orës 1 të mëngjesit është sulmuar me shishe molotovi vetura familjare e ministrit, Memli Krasniqi.

Policia ka dalë në vendin e ngjarjes për të kryer hetime, por ende nuk ka folur për incidentin.

Vetura private ka qenë e parkuar para banesës së ministrit të Bujqësisë, në Prishtinë.

Bashkëshortja e tij, Meliza Krasniqi është shprehur e tmerruar me sulmin që është kryer mbi pronën e saj private.

“Qysh bre nuk ju vjen marre, a jeni njerëz ju a çka”?, ka shkruar ajo në Facebook dy orë pas incidentit.

“Është vetura jem o njerëz, veturën të cilën e vozis unë jo Memli. Me veturën të cilën i bart fëmijët e mi! Fëmijët që janë të moshës 7, 3 e 2 vjeç që nuk punojnë se janë në çerdhe e në shkollë, që nuk janë me askënd, që nuk i kanë bo kurrkujt kurgjo”, ka shkruar ajo.

“Komentet që po i lexoj janë tmerruese, poshtëruese e fyese! Jam e shokume dhe hala s’po muj me besu që një shqiptar, një njeri e bën këtë sot”.

Ministri Krasniqi është sulmuar edhe para disa javësh me vezë në Prishtinë nga aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje. Ai ka arritur tu shpëtojë goditjeve, por shoqëruesi i tij është përleshur me sulmuesit.