“Super Viva” pranon që mbanë në markete produkte me afat të skaduar

“Super Viva” pranon që mbanë në markete produkte me afat të skaduar

Rrjeti i marketeve ‘Super Viva’ u ka bërë një ofertë të çuditshme konsumatorëve të saj.

Në një shpallje të vendosur në pikën e “Super Viva” në Ulpianë, bëhet një thirrje që konsumatorët që nëse gjejnë artikull me afat të skaduar të lajmërojnë sepse për këtë do të pasoj shpërblimi.

Sipas njoftimit të “Super Vivës”, klienti që e gjen artikullin me afat të skaduar merr një produkt të njëjtë me afat.

Gazeta Insajderi ka kërkuar nga “Super Viva” një sqarime rreth këtij lajmërimi, por ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

Gazeta Insajderi ka shkruar në shkurt të këtij viti, se “Super Viva” është gjobitur për mashtrim të konsumatorëve.

Ky biznes është gjobitur me 2 mijë euro për shkak se ka mashtruar konsumatorët duke vendosur për disa produkte tjetër çmim në raft dhe tjetër çmim tek arka e marketit, shkruan Insajderi.

Vendimin për gjobitje të “Super Vivës”, e ka marr Inspektorati i Tregut që funksionin në kuadër të Ministrisë së Tregtisë, më 29 dhjetor të vitit 2017.

Inspektorati i Tregut ka gjetur se dy produkte ushqimore: “Margarinë Vital” dhe “Margarinë Zvijezda”, nuk kanë pasur çmimin e njëjtë si atë të raftit dhe të pagesës.

“Margarinë Vital”, kishte çmimin 0.40 euro në raft, por konsumatorët janë mashtruar tek arka, ata janë detyruar që të paguajnë çmimin e këtij produkti në vlerë prej 0.42 euro.

Ndërkaq për produktin tjetër, “Margarinë Zvijezda”, konsumatorët e “Super Vivës”, në Prizren, kanë paguar 0.47 euro për këtë produkt edhe pse ai kishte të vendosur në raft çmimin 0.42 euro. Në arkën fiskale konsumatorët kanë paguar 0.05 euro më shumë.

Përveç këtij mashtrimi që ka bërë “Super Viva” me çmime të produkteve ata kanë mashtruar konsumatorët duke përdorur dy peshore të cilave ju ka skaduar afati më 3 mars të viti 2017.

“Prandaj një veprim i tillë është në kundërshtim neni 9. Paragrafi 3 të Ligjit Nr, 04/L-121 ‘Për Mbrojtjen e Konsumatorit’ 76 pika 1.11 e të po të njëjtit ligj”, thuhet në arsyetimin e Inspektoratit të Tregut, të cilin e ka siguruar Insajderi.

Për këto veprime “Super Viva”, është e detyruar që ta paguaj shumën në vlerë prej 2 mijë eurove brenda tetë ditëve prej datës kur e ka pranuar aktvendimin.