Supremja i jep të drejtë Qëndron Kastratit për reformën në arsim

Supremja i jep të drejtë Qëndron Kastratit për reformën në arsim

Gjykata Supreme e ka hedhur poshtë kërkesën e prindërve të Busavatës për rishqyrtim të vendimit të Gjykatës së Apelit për shtyrje të ekzekutimit të reformës në arsim në Komunën e Kamenicës.

Kjo kërkesë është hedhur si e pa bazuar nga Supremja në vendimin e 28 prillit të këtij viti, të cilin e ka siguruar Koha.

“Refuzohet si e pabazuar kërkesa për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, e paraqitur nga paditësit-propozuesit, Feim Maliqi, Hasan Maliqi, Pajtim Maliqi, Xhemail Maliqi, Dafil Orana, Granit Orana, Lulzim Orana, Selman Maliqi, Behxhet Maliqi dhe Ilir Maliqi të gjithë nga F. Busavatë, Komuna e Kamenicës kundër aktvendimit të Gjykatës së Apelit në Prishtinë të datës 04.03.2021”, thuhet në aktgjykim.

Kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati kishte marrë vendim për riorganizimin e shkollave të kësaj komune ku parashihej mbyllja e disa institucioneve arsimore dhe bartja e nxënësve në shkollat ku më shumë nxënës.

“Me qëllim të ngritjes së cilësisë në shkolla dhe për arritje të suksesit sa më të mirë tek nxënësit, Drejtoria Komunale për Arsim në Komunën e Kamenicës përmes reformës në arsim kishte planifikuar bashkimin nga klasat me numër të vogël të nxënësve në një klasë ku mesatarisht do të jenë 20 nxënës. Kështu, nxënësit do të socializohen më shumë me moshatarët e tyre, do të mësojnë së bashku, do të sfidojnë njëri-tjetrin, do të garojnë, do të mësojnë të respektojnë mendimin e tjetrit dhe do nxitet edhe më shumë të menduarit kritik dhe kreativiteti te nxënësit”, thuhet ndër të tjera në reformën e planifikuar të Komunës së Kamenicës.

Ndërkaq, javën e kaluar, në fshatin Shipashnicë e Poshtme të komunës së Kamenicës, ka ndodhur një përplasje mes pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe banorëve lidhur me një shkollë në këtë fshat, e cila ishte mbyllur shkaku i reformave që ndodhën në fushën e arsimit.

Sipas raportimeve në media, policia kishte përdorur sprej në drejtim të banorëve, të cilët nuk kanë lejuar hyrjen e veturës së komunës, e cila kishte sjellë invertar për këtë shkollë që është planifikuar të shndërrohet në çerdhe./Insajderi.com