Supremja konfirmon dënimin e Arsiqit për krime lufte në Kosovë

Supremja konfirmon dënimin e Arsiqit për krime lufte në Kosovë

Gjykata Supreme e ka konfirmuar dënimin prej gjashtë vitesh burgim për Nenad Arsiqin për krime lufte në Kosovë, transmeton Insajderi.com.

Arsiq ishte dënuar në dhjetor të vitit 2020 për dhunën që kishte ushtruar ndaj dy personave që kishin marrë pjesë në aksionin kundër popullësisë shqiptare në maj të vitit 1999.

Bëhet fjalë për rastin që kishte ndodhur në lagjen “Emshir”, ku viktimat ishin detyruar të pinin alkool dhe të këndonin këngë serbe.

Si pasojë e dhunës së ushtruar, Themelorja kishte njoftuar se viktimat J.Sh. dhe S.Sh. vuajnë edhe sot.

Ndërkaq, në një komunikatë për media të mërkurën Supremja ka njoftuar se e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën e mbrojtjes të ligjshmërisë, raporton ‘Koha’.

“Gjykata Supreme vëren se gjykatat e instancave më të ulëta, e posaçërisht gjykata e shkallës së parë si gjykatë e faktit në mënyrë të gjithanshme ka dhënë arsyetim të mjaftueshëm për të gjitha provat e administruara dhe po ashtu edhe përkitazi me mbrojtjen e të dënuarit”, thuhet në njoftim.

“Ndaj, siç ka konstatuar gjykata e shkallës së parë në aktgjykimin e saj dhe të cilin konstatim e aprovon në tërësi edhe Gjykata Supreme, ‘skeleti i akuzës bazohet në dëshmitë e të dëmtuarve përkatësisht dëshmitarëve S. dhe J.Sh, andaj me të drejtë, dëshmitë e tyre kanë qenë dëshmi vendimtare në këtë çështje penale’”.

“Tutje në aktgjykim theksohet se dëshmitë e dëshmitarëve vlerësohen në tërësinë e tyre, janë dëshmi të besueshme dhe konsistente, dhe se përfundimet e gjykatave të instancave më të ulëta gjyqësore i aprovon në tërësi edhe Gjykata Supreme”, përfundon njoftimi i Supremes. /Insajderi.com