Sveçla: Shumica e të aksidentuarve në Kroaci duan të vijnë në Kosovë

Sveçla: Shumica e të aksidentuarve në Kroaci duan të vijnë në Kosovë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, deklaroi të hënën mbrëma se shumica e të mbijetuarve në aksidentin tragjik që ndodhi të dielën në Kroaci, dëshirojnë të kthehen në Kosovë.

Ndërsa, vetëm një pjesë e vogël, sipas Sveçlës, kanë shprehur vullnetin për t’u kthyer në Gjermani.

Tutje, ministri ka bërë të ditur se gjendja e disa pacientëve është më e mirë se që është parashikuar në fillim.

“Shumica prej të lënduarve janë në gjendje të mirë. Edhe pacientja që është në spitalin e Zagrebit është në gjendje më të mirë dhe ajo që në fillim është dyshuar për thyerje të boshtit kurrizor nuk ka rezultuar e saktë”, ka thënë ai në “Debat Plus”.

Sveçla ka shtuar se të hënën është realizuar autopsia për pesë viktima të kësaj tragjedie, derisa sipas tij, të martën pritet të realizohet autopsia e pesë personave tjerë.

Sipas tij, ekziston mundësia që nesër të kthehen në Kosovë trupat e personave që kanë humbur jetën në fatkeqësi.

Një autobus me targa të Kosovës u aksidentua të dielën duke dalë jashtë rrugës në afërsi të Sllavonski Brodit në Kroaci duke shkaktuar vdekjen e dhjetë pasagjerëve, gjersa dhjetëra të tjerë janë lënduar.

Ndërkohë, shoferi 52-vjeçar i autobusit ka dalë sot para drejtësisë kroate dhe është mbrojtur në heshtje, ndërsa Zyra e Avokatit të Shtetit kroat ka njoftuar se shoferi ishte i lodhur dhe i paaftë për të vozitur./Insajderi.com