‘Ta kisha shti gazin lotsjellës në gojë’ – Veseli: Thosha me vete kah më kish dalë gazi

‘Ta kisha shti gazin lotsjellës në gojë’ – Veseli: Thosha me vete kah më kish dalë gazi

U dëgjua duke i sharë deputetët e VV-së – por Veseli thotë se asnjëherë nuk ka sharë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli është deklaruar edhe njëherë për gjuhën ofenduese që ka përdorur ndaj deputetëve në seancat e Kuvendit të Kosovës, raporton Periskopi.

Rasti i fundit ka qenë me deputeten e Vetëvendosjes, Drita Millakun, e cila i kishte thënë Veselit se nuk e kishte dëgjuar duke sharë deputetët e VV’së kur u votua Demarkacioni, se përndryshe ‘do t’ia fuste në gojë gazin lotsjellës’.

“Kjo puna e gazit lotsjellës në gojë, ka qenë deklaratë e rëndë, që për besë nuk e kam pritur asnjëherë. Edhe e mendojsha gazin lotsjellës në gojë, po thosha vetë me vete, kah më kish dalë gazi pastaj”, deklaroi Veseli, i cili gjatë tërë kohës qeshte.

Ai ka thënë se nuk ka asgjë personale me deputeten e VV’së, të cilën e kishte fyer pas asaj deklarate për gaz lotsjellës.

“Nuk kemi nevojë ta fyejmë njëri tjetrin. Kemi familjarë e njerëz që na dojnë”, deklaroi Veseli.

Por, gjatë seancës ai kishte eskaluar në gjuhën e tij.

“A e përdorë me gojë shumë a?” – kështu i kishte thënë Veseli Millakut, pas deklaratës së kësaj të fundit për ‘futjen në gojë të gazit lotsjellës’.

“Janë situata që ndodhin në moment. As unë nuk kam dëshirë me përdor gjuhë fyese. Por, akuza të tilla të drejtpërdrejta, të cilat më pas dalin që s’janë të vërteta, nuk është mirë të bëhen në Kuvend. Nuk dua ta shajë askënd, as të më shajë dikush”, tha Veseli në Rubikon të KTV’së.