“Ta Pastrojmë Kosovën” sot në Obiliq, ministri Matoshi kërkon ruajtje të ambientit

“Ta Pastrojmë Kosovën” sot në Obiliq, ministri Matoshi kërkon ruajtje të ambientit

Komuna e Obiliqit është pastruar sot nga aksioni “Ta Pastrojmë Kosovën”, i organizuar nga organizata joqeveritare, “Let’s Do It Kosova” në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës.

Në këtë aksion kanë marr pjesë edhe një numër i madh i nxënësve të shkollave të kësaj komune, shkruan Kosova.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ka thënë se Obiliqi është një nga komunat më me prioritet për mbrojtje të mjedisit për shkak të ndotjes së ajrit që i shkaktohet nga termocentralet.

“Sot jemi në Obiliq sepse është një nga prioritetet e Ministrisë. Është një nga komunat që do të kemi vëmendje të theksuar në fushën e ambientit për shkak të ndotjes së ajrit që shkaktohet nga termocentralet, por gjithsesi edhe për shkak të përkushtimit tonë që të jetojmë në një ambient të pastër”, ka thënë Matoshi.

Ai shtoi se “jemi sot këtu për t’i dhënë mbështetje vullnetarizmit të të rinjve dhe të kërkojmë më shumë përfshirje të të rinjve të djemve e vajzave që të jenë në krah me ne, në krah me task forcën, me MMPH, me komunat në mënyrë që të ndahemi një herë e mirë nga mbeturinat”.

Ndërsa kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, ka thënë se në aksionet e pastrimeve kanë marrë pjesë jo vetëm këtë herë, por edhe gjatë këtij viti, dy herë, Policia e Kosovës, OJQ-të, qytetarët, KEK-u, shkollat, që të eliminojnë deponitë ilegale.

Ai ka njoftuar se janë njoftuar edhe xhamitë në këtë komunë që të fillojnë të informojnë besimtarët myslimanë për rëndësinë e ruajtjes së mjedisit, po ashtu edhe shkollat.

“Duke u bazu që ndotësit më të mëdhenj janë në komunën tonë, po mundohemi që të paktën deponitë ilegale t’i eliminojmë me qëllim që të qëndrojmë në pjesë të gjelbëruara, të pyllëzuara”.“Deri më tani janë eliminu 19 deponi ilegale, inerte dhe në total mbeturina janë bartë rreth 3430 metër kub. Do të vazhdojmë edhe më tutje. Do të vazhdojmë për krijim të hapësirave të gjelbra”, ka thënë Xhafer Gashi.

Kurse Besnik Shabiu nga “Let’s Do It Kosova”, ka thënë se deri më tash janë larguar 200 deponi ilegale të mbeturinave, ndërsa ka thënë se e mira e gjithë kësaj është që janë përfshirë të rinjtë.“Jemi këtu për të dhënë një mesazh të qartë, se jemi bashkë dhe jemi gati që Kosovën ta dërgojmë drejt proceseve të reja, për një Kosovë pa mbeturina”.

Aksioni “Ta Pastojmë Kosovën”, ka filluar më 15 shtator dhe do të mbarojë më 15 dhjetor. /Insajderi.com