Tadiq kritikon Vuçiqin për qasjen ndaj Kosovës

Tadiq kritikon Vuçiqin për qasjen ndaj Kosovës

Ish-presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, ka thënë se ideja e presidentit aktual të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për hapjen e “dialogut të brendshëm” për Kosovën është “akt bizar”.

Ai ka thënë se nuk mund të mbështetesh në dialog për një temë të tillë të rëndësishme si identiteti dhe integriteti i vendit.

Në intervistën e transmetuar nga FoNet, presidenti i Partisë Socialdemokrate (SDS), Tadiq tha se fjala dialog to të thotë respektimi i opinioneve të ndryshme dhe erdhi në përfundimin se Vuçiq është “njeriu i gabuar për të biseduar lidhur me temën për Kosovën, për shkak se nuk ka qëndrim vetëkritik ndaj vetes së tij”.

I pyetur që të sqarojë nëse e sheh Vuçiqin si pengesën kyçe për t’iu përgjigjur ftesës për dialog, Tadiq ka thënë se presidenti aktual i Serbisë po shkatërron dialogun, demokracinë dhe institucionet e pavarura.

Në lidhje me idetë e tij të mundshme për dialogun, Tadiq tha e pas marrëveshjes së Brukselit, Serbia pranon vlefshmërinë e sistemit ligjor të Kosovës në veri, dhe se tani Serbia gjendet në një “tatëpjetë” në raport me kapacitetet e saja për të kontrolluar diçka në Kosovë.

“Nuk kam informacion në lidhje me marrëveshjet konkrete të Vuçiqit, e para tij të Nikoliqit. Nuk jam i interesuar, por mendoj se shumë shpejt gjithçka do të dalë në pah”, ka parashikuar ai.

Ai tha se presidenti i shtetit nuk ka të drejtën e as mandatin për të “humbur atë që nuk është humbur gjatë luftës”, edhe pse ai beson që në Serbi është një besim se “është shumë moderne dhe pro-Evropiane të dorëzohesh dhe të humbësh atë që nuk ke humbur gjatë luftës”.

“Esenca është se Vuçiq duhet të marrë përgjegjësinë e tij si president i shtetit”, sugjeroi Tadiq, duke shtuar se “askush nuk do ta djegë Jarinjen, e as opozita nuk do të organizojë demonstrata të dhunshme me viktima njerëzore”. /Insajderi.com