Tahiri: 14 marsi është dita kur do të rikthehet LDK-ja

Tahiri: 14 marsi është dita kur do të rikthehet LDK-ja

Kryetari i degës së LDK-së në Vushtrri dhe kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri ka folur për dështimin e kësaj partie në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, njofton Insajderi.

Ai ka numëruar disa nga problemet që kanë rezultuar me humbjen e mbi 100 mijë votave krahasuar me zgjedhjet 2019.

“Isha kundër koalicionit me PDK-në në vitin 2014, isha unë dhe disa të tjerë, por zëri ynë nuk u dëgjua. Ishte koha kur thoshin s’ka koalicion me PDK-në dhe më pastaj ai koalicion ndodhi”, ka thënë Tahiri.

Sipas tij, problem tjetër i LDK-së ishte edhe shkëputja me degët e diasporës.

“Edhe prishja e koalicionit me Vetëvendosjen ishte gabim në sytë e elektoratit. Por tani nuk duhet të humbim kohë më këtë pjesë dhe LDK-ja duhet të përcaktohet për një lidership të ri dhe rikthimi të shpresës, sidomos për të rinjtë”, ka thënë ai në RTK.

Tahiri tha se përjashtimin e Vjosa Osmanit nga LDK-ja e konsideron gabim dhe se ai ka votuar kundër.

“Nuk ka qenë në traditën e LDK-së përjashtimi i zyrtarëve, aq më pak i një kandidateje për kryeministre. Të gjitha këto gabime kanë bërë që elektorati i LDK-së të zgjedhin një listë jashtë listës së LDK-së. Mendoj që më 14 mars kur të mbahet kuvendi i LDK-së, delegatët do të përcaktohen për rikthimin e LDK-së. Tema më akute tash është rikthimi i LDK-së duke e transformuar komplet lidershipin e partisë. Duhet të ndodhë një ndryshim thelbësor”, ka thënë Tahiri.

Ndryshe, LDK më 14 mars mban kuvendin për zgjedhjen e kryetarit të ri pas dorëheqjes së Isa Mustafës./Insajderi.com