Tahiri i përgjigjet Haxhiut: Kthehuni nga plazhet, në realitetin e hidhur që po ju pret

Tahiri i përgjigjet Haxhiut: Kthehuni nga plazhet, në realitetin e hidhur që po ju pret

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri i është përgjigjur ashpër deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, pasi tha se ministrat e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), i ka kapluar zori i humbjes së pushtetit.

Tahiri përmes një postimi në llogarinë e tij në Facabook, ka shkruar se zyrtarët e Vetëvendosjes po i tradhton verbëria për pushtet dhe po harrojnë se populli vendos kush është në pozitë e kush në opozitë, shkruan Gazeta Insajderi.

“Gjuha dhe retorika shpifëse po i tradhton zyrtarët e Vetëvendosjes, duke iu shpalosur verbërinë për pushtet. Ata duhet ta dinë se është vullneti i popullit ai që cakton kush bëhet ministër e kush mbetet opozitë, madje opozitë për tërë jetën. Dhe vullneti i popullit flet përmes zgjedhjeve. Mesazhi im, ngjashëm si edhe Kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Veseli, është mjaft i qartë: Zgjedhjet e pashmangshme dhe sa më parë që është e mundur” ka shkruar Tahiri.

Tahiri ndër tjera është shprehur se Vetëvendosje është shkapërderdhur, disa duke zgjedhur plazhin e lideri i tyre duke zgjedhur Palestinën për të ikur nga realiteti.

“Pyetja që sot duhet të shtrojnë zyrtarët e Vetëvendosjes është se ku janë deputetët dhe ku është lideri i saj. Si subjekt edhe ashtu i thyer në kohën kur duhet të shpërndahet Kuvendi, disa kanë zgjedhë plazhin, e lideri i tyre shpirtëror ka zgjedhë Palestinën si destinacion për t’i ikur realitetit. I ftoj të njëjtit që të kthehen nga plazhet, në realitetin e hidhur që po i pret. Zgjedhje sa më parë! Për qeveri të re e të përgjegjshme me PDK-në në krye të saj” ka përfunduar statusin e tij Tahiri.

Deputetja Haxhiu sot përmes një postimi në llogariën e saj në Facebook, ka thënë se ministrat e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ai i Drejtësisë, Abelard Tahiri, si dhe e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, i ka kapluar zori i humbjes së pushtetit.

”Abelard Tahiri deklaronte se ‘nuk kemi buxhet për zgjedhje’ ndërsa Dhurata Hoxha paska thënë se ‘nëse hyjmë në zgjedhje të jashtëzakonshme, zvarritet procesi i liberalizimi i vizave’. I ka kapluar zori i humbjes së pushtetit dhe duket që po e përjetojnë shumë rëndë. Kosova kurrë më nuk duhet të ketë ministra të tillë. #zgjedhje sa më parë”, ka shkruar Haxhiu në Facebook. /Insajderi.com