Tahiri-Kurtit: Mirë se erdhe në Kosovë nga muaji i mjaltit

Tahiri-Kurtit: Mirë se erdhe në Kosovë nga muaji i mjaltit

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, në seancën e së enjtes ka filluar fjalimin duke i uruar me ironi mirëseardhje kryeministrit Albin Kurti, pas dy javësh qëndrimi në shtetet e huaja, të cilën Tahiri e quajti “muaji i mjaltit”, njofton Insajderi.

Shefi i deputetëve të PDK-së ka pasur kritika për Kurtin, duke thënë se i njëjti nuk është kthyer nga vizita e tij në Francë e Greqi, edhe pas rastit në Deçan e reshjeve që shkaktuan dëme materiale në vend.

“Kryeministër mirë se erdhe në Kosovë. Shpresojmë që qëndrimi juaj 14 ditor në bregdetin e Greqisë do ta jap shtytjen për ta përfunduar muajin e mjaltit. Ky qëndrim do të kishte kuptim po t’i mbroje interesat e shtetit, por qëndrimi juaj s’kishte të bënte me interesa kombëtare”, është shprehur Tahiri.

Deputeti i PDK-së, tutje ka thënë se derisa kosovarët nuk mund të lëvizin pa viza, Kurti po qëndron në hotele luksoze të botës.

“Qytetarët e Kosovës nuk mund të lëvizin pa viza, e nuk kanë mundësi të qëndrojë në hotele luksoze në të cilat qëndron kryeministri jonë. Në ditën ku e ka marrë lajmin për qytetarët e Deçanit, ai do të ishte dashur që të kthehet, pra vendi ku ishte kryeministri jonë ishte nja 6-7 orë larg me veturë”, ka thënë Tahiri.

Për dy javë, kryeministri Albin Kurti ka qënduar jashtë Kosovës. Ai nisi vizitën në Greqi dhe më pas në Francë. Në Francë, mori pjesë në premierën e filmit kosovare “Pa Vend” në Festivalin e Filmit në Cannes. Qëndrimi atje erdhi pas nëntë ditësh qëndrimi në Greqi, vizitë për të cilën u kritikua nga opozita në Kosovë. E, nga Franca Kurti ka udhëtuar direkt për në Belgjikë për takimin me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi./Insajderi.com