Tahiri: LDK nuk duhet të ketë votë kundër Vjosa Osmanit

Tahiri: LDK nuk duhet të ketë votë kundër Vjosa Osmanit

“Lidhja Demokratike e Kosovës nuk duhet të ketë votë kundër Vjosa Osmanit për presidente të vendit”.

Kështu ka deklaruar anëtari i Kryesisë së LDK-së, Xhafer Tahiri, derisa ka shtuar se qëndrimi i LDK-së në raport me Osmanin do të varet nga garancitë që jep kjo e fundit në lidhje me paanësinë e saj si president.

“Hapi i parë është ndarja e Vjosa Osmanit me Lëvizjen Vetëvendosje. Do të qartësohet më shumë pozicioni ynë pas takimit që do të ketë Abdixhiku me Osmanin…Në radhë të parë unë mendoj se LDK nuk duhet të ketë votë kundër Vjosa Osmanit”, ka thënë Tahiri në RTV Dukagjini.

Sipas tij, deputetët e LDK-së duhet të votojnë pro Vjosa Osmanit, por sipas tij kjo gjë do të vendoset nga organet drejtuese të partisë.

“Nuk kam të drejtë vote në Kuvend, por në Kryesinë e LDK-së pa dyshim do të jetë votë konstruktive për themelimin e institucioneve, vota ime do të jetë në harmoni me qytetarët e Kosovës dhe padyshim që do të jetë pozitiv për t’u përzgjedhur Osmani presidente pasi thash që LDK-ja nuk do të bëj gabimet e kaluara”, ka thënë ndër të tjera Xhafer Tahiri./Insajderi.com