Tahiri: Të gjitha partitë do të dënohen nëse s’respektojnë masat

Tahiri: Të gjitha partitë do të dënohen nëse s’respektojnë masat

Drejtoria e Inspeksionit në Komunën e Prishtinës ka filluar gjobitjen ndaj subjekteve politike për mosrespektim të masave anti-COVID gjatë tubimeve zgjedhore, njofton Insajderi.

Së fundmi Lidhja Demokratike e Kosovës është dënuar me dy mijë euro, ku gjatë një tubimi nuk ishin respektuar masat e ndërmarra për parandalimin e përhapjes së Coronavirusit.

Drejtori i Inspeksionit në Komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri, ka thënë se kandidatët në këto zgjedhje duhet të jenë shembull për qytetarët në respektimin e masave, mirëpo sipas tij, po ndodh e kundërta.

“Në fakt nuk është vetëm çështje vetëm e orarit por është e shkeljes së ligjit për parandalimin e pandemisë dhe  të masave të votuara në Qeverinë e Kosovës ku nuk lejohet grumbullimi i njerëzve. Duke qenë kështu ne nga e njëjta qeveri dhe po të njëjtit deputetë jemi obliguar që çdo ditë të dënojmë qytetarë e biznese atëherë këta do të duhej të ishin shembull i këtyre rregullave dhe jo të ndodhë e kundërta”, është shprehur Tahiri për EO.

Ai tutje ka paralajmëruar gjoba për të gjitha subjektet politike që bien në kundërshtim me Ligjin për luftimin e pandemisë.

“Duke parë që subjektet politike nëpër gjithë Kosovën kanë filluar të organizojnë tubime në kundërshtim me ligjin të cilin vet e kanë votuar,  ne pardje i kemi paralajmëruar që për secilin tubim që e vërejmë do të ju shqiptojmë gjoba. Një që e tillë ka ndodhur dje me njërin prej subjekteve politike dhe do të ndodhë me secilin subjekt politik për secilin tubim që e organizon brenda kryeqytetit”, theksoi Tahiri. /Insajderi.com