Ka disa ditë që është bërë lajm heqja e fotografisë së Presidentit Hashim Thaçi në zyrën e kryetarit të Vushtrrisë, Xhafer Tahiri. Madje, zyrtarëve të LDK-së si Vjosa Osmani e Lumir Abdixhiku u kishte pëlqyer ky gjest i Tahirit sa që bënë edhe fotografi aty. Por, duket se kryetarit aktual të Komunës së Prishtinës po i pëlqen të luajë nga pak me elektoratin e partisë. Të premten, Tahiri i tha Gazetës Express se nuk e ka hequr fotografinë e Thaçit, por vetëm ia ka ndërruar vendin.
Në zyrën e kryetarit të Komunës nuk shihet fotografia e Presidentit Hashim Thaçi. Gjatë javës është përfolur se Tahiri nuk donte që në zyrën e tij të mbante Thaçin.
Kjo s’kishte se si të mos i pëlqente deputetes Vjosa Osmani, që kundërshtoi zgjedhjen e Hashim Thaçit President. Ajo bashkë me deputetin e ri, Lumir Abdixhiku, vizituan dje bashkëpartiakun e tyre që tani po udhëheq me qytetin e Vushtrrisë.
Abdixhiku dhe Osmani madje u fotografuan para fotografisë së Hasan Prishtinës, për t’ia kujtuar të parit të vendit se s’po respektohet në një zyrë të komunës.
Gazeta Express ka kontaktuar sot kryetarin e Vushtrrisë për ta pyetur rreth të vërtetës për fotografinë e Presidentit.
Tahiri nuk e ka pranuar që ka hequr fotografinë e Hashim Thaçit, ani pse ka vlerësuar se ai nuk meriton të qëndrojë në krye të vendit.
Edhe pse u provua të dëshmohet se një pjesë e LDK-së, tani e gjithë partia, nuk e respektojnë më Thaçin si President, Tahiri tregon se për kurtuazi nuk e ka hequr krejtësisht shefin e shtetit nga zyra e tij.
“Ashtu siç e parasheh rregullorja, fotografia është në zyrë, por në vendin e mëparshëm të saj është vendosur Hasan Prishtina, si figurë emblematike e Vushtrrisë”, ka thënë kryetari i Vushtrrisë për Express-in.
Por, ai nuk tregon nëse fotografia është në ndonjë dollap a pas derës së zyrës.
Ndryshe, që nga rënia e Qeverisë “Mustafa”, LDK-ja ka ndryshuar qëndrim ndaj Presidentit Thaçi edhe pse ishte kjo parti që me çdo kusht e bëri Thaçin president, duke respektuar marrëveshjen PDK – LDK që e kishin bërë më 2014.