“Takimi do të mbahet edhe pa Vetëvendosjen”

“Takimi do të mbahet edhe pa Vetëvendosjen”

Pavarësisht mospjesëmarrjes së “Vetëvendosjes” kryesuesi i seancës Adem Mikullovci ka thënë se takimi do të mbahet edhe pa ta, shkruan “Zeri.info”.

“Jo, ata janë deklaruar që nuk do të vijnë,” u shpreh ai.

Një nga arsyet se pse “Vetëvendosja” nuk do të marrë pjesë në këtë mbledhje është sepse i konsideron këto takime si boshe.

“LVV-ja nuk po merr pjesë në këto takime sepse me Rregullore të Kuvendit nuk janë të parapara konsultimet e tilla, arsye e dytë që i patëm tri konsultime deri më tash pa kurrfarë rezultati e po mendojnë që janë bisedime boshe, të cilat nuk kanë peshë për mbajtjen e seancave dhe për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit”, tha Mikullovci, për “Zërin”.

Në mbledhjen e sotme Mikullovci potencoi se do të shkojë me optimizëm se ndoshta PAN-i do të kërkojë një datë për seancën e radhës në të cilën “Vetëvendosja” do të marrë pjesë.

“Unë po shkoj me optimizëm se ndoshta kanë vendosur që ta kërkojnë një datë kur do të mbahet seanca dhe ne do të vijmë e do të dalim me kandidatin për kryetar të Kuvendit”, ka thënë ai.

Sipas kryesuesit të Kuvendit, nëse edhe sot nuk ka ndonjë rezultat, atëherë ai do të thërrasë pjesën tjetër të deputetëve dhe do të vazhdojnë punën.

“Nëse nuk ka ndonjë rezultat, ndonjë vendim, atëherë unë do të thërras kryesinë e koalicionit LAA dhe atë të minoriteteve që të mblidhemi dhe të vendosim kur të vazhdojmë punën në Kuvend. Përndryshe, është një rregull i pashkruar që çdo të enjte do të ketë mbledhje të Kuvendit”, tha ai.