“Takimi Thaçi-Putin, thirrje urgjente që të votohet rezoluta e opozitës për kufijtë”

“Takimi Thaçi-Putin, thirrje urgjente që të votohet rezoluta e opozitës për kufijtë”

Hykmete Bajrami, deputete e LDK-së, ka thënë se takimi i presidentit të Kosovës Hashim Thaçi me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, është sinjal që të votohet sa më shpejtë rezoluta e opozitës për ndalim të dialogimit për kufijtë e Kosovës.

Në Interaktiv të Ktv-së, ajo ka thënë se takimi i Thaçit me Putinin dhe mosdëgjimi i kancelares gjermane Angela Merkel e kanë rënduar shumë shtetësinë e Kosovës. Sipas saj, nëse Rusia përkrah një marrëveshje Kosovë – Serbi, atëherë marrëveshja duhet të jetë në favor të Serbisë.

“E dimë të gjithë se në favor të kujt historikisht ishte Rusia. Ajo është akoma në favor të Serbisë. E mund ta imagjinojmë çfarë mund të jetë marrëveshje për të pasur përkrahjen e Rusisë”, ka thënë ajo. “Tash Thaçi pa kurrfarë legjitimiteti dialogon për Kosovën, e s’po dëgjon përkrahjen e zonjës Merkel, që konsiderohet si politikania më me ndikim në Evropë e që pati rol të rëndësishëm në konsolidimin e shtetit tonë. Është për të ardhur keq dhe kjo është thirrje që të votohet sa më shpejtë rezoluta. Partitë që janë kundër shkëmbimit duhet urgjent të votojmë këtë rezolutë e t’i tregojmë botës se jemi kundër korrigjimit të kufijve”.

Ajo ka kritikuar edhe qasjen e kryeministrit Ramush Haradinaj për idenë e Thaçit për korrigjim kufijsh. Ka thënë se Haradinaj duhet të marrë hapa konkretë me partinë e tij që të votojnë rezolutën dhe të ndalin dialogimin e kufijve. “Kjo çështje nuk është e vdekur teksa akoma diskutohet”, ka thënë ajo duke iu përgjigjur deklaratës që Haradinaj e ka përsëritur disa herë se kjo çështje tashmë ka përfunduar.