Takohen Osmani e Vitia – Ja çka u diskutua

Takohen Osmani e Vitia – Ja çka u diskutua

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka pritur sot në takim kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmanin dhe nënkryetaren Arbërie Nagavci. Në këtë takim është diskutuar për koordinimin e institucioneve për menaxhimin e situatës me COVID-19.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi në Facebook nga Ministria e Shëndetësisë,

“Sot Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës Arben Vitia bashkë me zv/ministrat Sreten Trajkoviq dhe Izet Sadikun pritën në takim kryetaren e Kuvendit të Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani dhe nënkryetaren, znj. Arbërije Nagavci. Në këtë takim u diskutua për rëndësinë e koordinimit ndërinstitucional për menaxhimin e situatës me COVID-19”, thuhet në njoftim.

Po ashtu bëhet e ditur se kryetarja Osmani ka falënderuar ministrin Vitia dhe të gjitha institucionet e përfshira për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

“Znj. Vjosa Osmani në këtë takim falënderoi ministrin Vitia dhe të gjitha institucionet e përfshira në parandalimin e përhapjes së pandemisë në vendin tonë. Sipas saj, masat e ndërmarra në kohë kanë ndikuar që sot në vend të kemi një situatë më të mirë krahasuar me shtetet e rajonit.  Znj. Osmani tha se Kuvendi i Kosovës mbetet i përkushtuar që të bashkëpunojë ngusht përballë këtij “armiku të padukshëm”, i cili nuk njeh as ndarje politike e as etnike”, thuhet në njoftim.

“Ndërsa ministri Vitia i falënderoi znj. Osmani dhe znj. Nagavci për gatishmërinë e treguar, si dhe i njoftoi për së afërmi me Planin e Veprimit përmes së cilit do të operojnë institucionet e vendit. Në këtë takim u ripërsërit qëndrimi se respektimi i masave parandaluese nga qytetarët është jetik në parandalimin e përhapjes së pandemisë”, thekson njoftimi.