Tayna vs Pacolli – faktet demantojnë Ministrinë e Xhelal Sveçlës

Ministria e Punëve të Brendshme bëri përpjekje për të mashtruar publikun në ditën e skandalit me Behgjet Pacollin, pasi tentoi të fsheh "amnistinë" e qeverisë për këngëtaren Doruntina Shala - Tayna. Rep-këngëtarja hyri në Kosovë më 20 mars, tri ditë pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për karantinimin e obligueshëm për të gjithë qytetarët që do të hynin në Kosovë pas kësaj date.

Tayna vs Pacolli – faktet demantojnë Ministrinë e Xhelal Sveçlës

Qeveria e Kosovës lejoi këngëtaren Doruntina Shala – Tayna, të hyjë në Kosovë më 20 mars të këtij viti pavarësisht prej faktit se tri ditë më parë Ministria e Shëndetësisë kishte nxjerrë vendim për karantinim të obligueshëm për të gjithë qytetarët që do të hynin në Kosovë.

Por, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike (MPBAP) pretendon se Tayna nuk u amnistua nga Qeveria e Kosovës.

Sipas MPBAP-së që udhëhiqet nga Xhelal Sveçla, këngëtarja Doruntina Shala hyri në Kosovë më 20 mars, një ditë para se të nxirrej vendimi i qeverisë për karantinimin e obligueshëm me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.

“Ju njoftojmë se në baze të informatave zyrtare nga institucionet relevante, personi në fjalë ka hyrë në territorin e Republikës së Kosovës, para se të nxirret vendimi 119/2020 i datës 21/03/2020 për karantinimin e obligueshëm të të gjithë personave te cilët hyjnë ne territorin e Republikës se Kosovës”, tha Ministria e Brendshme në një përgjigje për Insajderin të martën.

Megjithatë, faktet e demantojnë Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike.

Ministria e Xhelal Sveçlës bëri përpjekje për të mashtruar publikun në ditën e skandalit me Behgjet Pacollin, pasi tentoi të fsheh “amnistinë” e qeverisë për këngëtaren Doruntina Shala – Tayna.

Rep-këngëtarja hyri në Kosovë më 20 mars, tri ditë pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për karantinimin e obligueshëm për të gjithë qytetarët që do të hynin në Kosovë pas kësaj date.

Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim për 17 mars për vendosjen në karantinë për 14 ditë të të gjithë qytetarëve që do të hynin në Kosovë pas kësaj date.

Kështu kishte deklaruar edhe ministri në detyrë i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku, në një konferencë për media me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, më 20 mars.

Sipas Abdixhikut, secili qytetarë që do të hynte në Kosovë pas 17 marsit do duhej të vendosej në Qendrën e Studentëve në Prishtinë.

“Ministria e Shëndetësisë… dhe kjo ka rëndësi për qytetarët që do të kthehen, ka shndërruar Qendrën e Studentëve në Prishtinë, në qendër karantinimi. Secili i kthyer në Kosovë, do të vendoset për 14 ditë në këtë qendër”, kishte deklaruar Abdixhiku.

Por, rasti i këngëtares Tayna vërteton të kundërtën. Dëshmon se Qeveria e Kosovës nuk i ka vendosur në karantinë të gjithë qytetarët që kanë hyrë në Kosovë përmes kufijve ajrorë apo tokësorë.

Rep këngëtarja ishte kthyer në Kosovë më 20 mars. Kishte hyrë në vend përmes kufirit tokësor Maqedoni-Kosovë.

Se Tayna hyri në Kosovë pa iu nënshtruar masave për karantinim të obliguar, e shpjegoi edhe kolegu i saj, Robert Berisha. Këngëtari i muzikës turbo-folk kishte qenë bashkë me Taynan paraprakisht në një vizitë pune në ShBA.

“Tayna bashkë me D.J. e vet erdhën nga Cyrihu në Shkup e më pas në Kosovë e drejt e në shtëpi të vet”, tregoi Berisha në një prononcim për Telegrafin në fund të muajit mars.

Rasti i Taynas mori vëmendje të madhe sot, pasi Qeveria e Kosovës mori vendim për ta vendosur në karantinë Behgjet Pacollin, deputetin e Kuvendit të Kosovës, i cili prej disa javësh po qëndronte në shtëpinë e tij në Lugano të Zvicrës.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për ta vendosur në karantinë Behgjet Pacollin, nxiti reagimin e kreut të Aleancës Kosova e Re, i cili tërhoqi një paralele mes tij dhe këngëtares kosovare, Doruntina Shala.

Pacolli u shpreh sot se Qeveria e Kosovës ka përdorur standarde të dyfishta në rastet e tij dhe të Taynas, rep këngëtares e cila ishte rikthyer në Kosovë pa iu nënshtruar kritereve të parandalimit të përhapjes së COVID-19. /Insajderi.com