Të aderuarit në PDK iu punësua gruaja në Postë pa konkurs

Të aderuarit në PDK iu punësua gruaja në Postë pa konkurs

Favori kthehet me shërbim. Kështu të paktën mund të jetë rasti i aderimit më të ri në PDK, Riad Ramadanit. Punësimi i bashkëshortes së tij, pa konkurs publik, në Postën e Kosovës ka çmimin e të anëtarësuarit në PDK.

Riad Ramadani i është bashkuar sot Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) pasi kohë më parë, kishte rehatuar bashkëshorten në Postën e Kosovës përmes lidhjeve klienteliste me ish drejtuesit e kësaj ndërmarrjeje.

Sinjali merr vesh se Venera Ejupi ishte punësuar në Postën e Kosovës nga miku i tij Sejdi Hoxha në kohën kur ky i fundit kishte udhëhequr këtë institucion. Hoxha gjatë ditës së sotme ka prezantuar bashkëshortin e Veneres, Riadin si anëtar të ri të PDK-së.

Riad Ramadani së bashku me Sejdiu Hoxhen dhe Kadri Veselin janë shfaqur në një fotografi të buzëqeshur me rastin e njoftimit për aderimin e Ramadanit.

Hoxha në postimin e i tij në Facebook, ka thënë se mikut të tij, Riad Ramadanit i ka uruar mirëseardhje në PDK.

“Sot pata kënaqësinë qe së bashku me Kryeministrin e ardhshëm të Kosovës z. Kadri Veseli ti uroj mirëseardhje në PDK mikut tim Dr. Sc. Riad Ramadani. Riadi është i doktoruar në Universitetin e Mariborit në Slloveni me bursë te plotë Erasmus të Komisionit Europian. Ekspert si Riadi janë vlerë dhe pasuri e shtuar për Kosovën dhe institucionet e saj.  Sejdi Hoxha”, ka shkruar Hoxha.

Ky aderim ndodh në kohën kur kryetari i PDK-së, Kadri Veseli ka filluar para-fushatën duke proklamuar luftimin e korrupsionit dhe nepotizmit. Sinjali ka raportuar se Veseli kishte rehatuar në postë edhe shoqen e ngushtë të bashkëshortes së tij si dhe për disa raste se si anëtarët e PDK-së kanë fituar poste të rëndësishme në institucionet shtetërore përmes lidhjeve politike e klienteliste.

Sejdi Hoxha kishte dhënë dorëheqje nga post i drejtorit ekzekutiv më 7 gusht të këtij viti.