“Të arrestohet Teodosijeviq”

“Të arrestohet Teodosijeviq”

Ministri i Serbisë në Qeverinë e Kosovës nga Lista Serbe, I. Teodosijeviq ndonëse merrte rrogë të majme nga Buxheti i Kosovës asnjëherë nuk u ndal së identifikuari kundër Kosovës dhe në glorifikim të Serbisë.

Së fundmi , në linjë me politikën e Serbisë të Aleksandër Vuçiqit, masakrën e shtetit të Serbisë në Reçak e konsideroi dhe u deklarua publikisht se është trillim i shovenistëve dhe terroristëve shqiptarë duke e mohuar çdo krim që Serbia e bëri në Kosovë.

Si “ministër” i Qeverisë së Kosovës, në shumë tubime dhe përcjellje që ua bënte politikanëve të Serbisë që ilegalisht hynin në Kosovë deklaronte se shovenistët dhe terroristët shqiptarë bënë krime ndaj serbëve para, gjatë dhe pas përfundimit të luftës në Kosovë duke mos e treguas as ndjeshmërinë më të vogël ndaj viktimave civile shqiptare që u ekzekutuan dhe masakruan nga politika shoveniste dhe shfarosëse e Serbisë.

Pas kësaj, kryeministri i Kosovës, me kërkesë të z/kryeministrit Enver Hoxhaj, e shkarkoi ministrin shovenist I. Teodosijeviq e që meriton përkrahje të plotë.

“Ky shkarkim i drejtë, i arsyeshëm dhe i pashmangshëm i këtij ministri shovenist është veprim politik që është marrë në nivel politik”, thotë KLMDNJ.

“Mirëpo, edhe para këtij shkarkimi, Prokuroria Speciale e Kosovës, në bazë të deklarimeve publike të I. Teodosjeviq është dashur të nis hetimet sipas detyrës zyrtare për faktin se këto deklarata nxisin urrejtje në baza etnike, fyerje në baza etnike dhe përmbajnë të dhëna të pavërteta. Shkarkimi i I. Teodosijeviq, nëse kemi për baza deklaratat e tij plot urrejtje nuk mund të konsiderohet dënim deri në kohën kur nuk do të përballet me ligjin për një vepër penale që sanksionohet sipas ligjeve në Kosovë”

“KMDLNj, bazuar në deklaratat publike të ministrit të shkarkuar I. Teodosijeviq e të cilat nuk janë deklarata të natyrës politike, pret nga Prokuroria Speciale e Kosovës të ndërmerr veprime të mbështetura në ligj ndaj I. Teodosijeviq për shkak të nxitjes së urrejtjes në baza etnike dhe përmbajtjes së pavërtetë”, thuhet mes tjerash në reagimin e KLMDNJ-së.

Ky këshll ka thënë se duhet të bëhet e qartë se ka dallim midis përgjegjësisë politike dhe asaj penale. Rasti Teodosijeviq, sipas tyre është shembull tipik i bërjes së dallimit midis këtyre dy përgjegjësive.