Policia e Kosovës të hënën ka arrestuar pesë persona të dyshuar për veprat penale “fajde” dhe “detyrim”.
Grupi në krye mafiozin mitrovicas Ismet Osmani – Curri, Rrahim Hashimi, Ilir Bojku dhe Mentor Maqani dhe A.Th. sot pritet të dalin para gjykatësit lidhur me masën e sigurisë.
Ata gjenden të ndaluar për 48 orë ndërkohë që Prokuroria ndaj tyre ka kërkuar masën e paraburgimit.
Policia pas përfundimit të operacionit ka bërë të ditur se krimet e mafiozit Ismet Osmani dyshohet se peshojnë peshojnë mbi 6 milionë euro.
Sipas policisë Curri me shokë kishte përfituar në mënyrë të paligjshme mbi 2.5 milionë euro.
“Vlera e përgjithshme e përfituar në mënyra kundërligjore dyshohet/vlerësohet mbi 2.5 milionë euro, ndërsa dëmi i përgjithshëm i shkaktuar dyshohet se tejkalon vlerën prej 6 milion euro”, thuhet në njoftimin e policisë, shkruan Gazeta Insajderi.
Operacioni policor i cili kishte filluar në orët e hershme të mëngjesit ka rezultuar me arrestimin e shtatë personave në lokacione të ndryshme të Kosovës.
“Operacioni policor i koduar ,,DALLGA” ka filluar në orët e hershme të mëngjesit, nën mbështetjen e Njësive për Reagim të Shpejtë, ku target i veprimeve hetimore dhe bastisjeve kanë qenë shtatë (7) lokacione, prej tyre pesë (5) në regjionin e Prishtinës, një (1) në regjionin e Pejës dhe një (1) në regjionin e Gjakovës”, thuhet ndër tjera, raporton Insajderi.