Kreu i Qeverisë së Kosovës, Avdullah Hoti, do të raportojë të enjten para deputetëve për marrëveshjen ekonomike të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, njofton Insajderi.
Kështu ka vendosur Kryesia e Kuvendit në mbledhjen e sotme.
Në seancën e parë të sesionit vjeshtor pritet të shqyrtohen edhe disa pika tjera të papërfunduara nga seancat e kaluara.
Marrëveshja e cila u nënshkrua më 4 shtator në Uashington, është kundërshtuar nga partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës, të cilat kanë akuzuar Hotin se nuk ka sjellë nga Uashingtoni njohjen e premtuar, përderisa me marrëveshjen e nënshkruar ka dëmtuar Kosovën.
Vetëvendosja e kritikoi marrëveshjen për normalizim ekonomik midis Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se disa nga pikat e saj janë gabim dhe shkelin Kushtetutën.
Në një pikë të marrëveshjes, Kosova po ashtu dakordohet t’i bashkohet mini-Shengenit, një nismë kjo për bashkëpunim ekonomik rajonal që është shpallur nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia Veriore vitin e kaluar, e kundër së cilës ishte deklaruar edhe vetë kryeministri Hoti. /Insajderi.com