Të mbyllura në shtëpi dhe të harruara nga shteti

Të mbyllura në shtëpi dhe të harruara nga shteti

Ganimete Mrasoraj rreth të 40-ve, është amvise dhe e papunë. Jeton në fshatin Mrasor të komunës së Rahovecit dhe gjasat që ajo të punësohet janë gati zero. Jo pse ajo është e paaftë për të punuar, por se shteti e sheh si të tillë.

Të dhënat e vitit 2016 mbi papunësinë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, tregojnë se 31.8 për qind e grave në Kosovë janë të papuna por ky numër është shumë më i madh.

Fakti që shteti nuk i sheh si punëkërkuese, për amvisen nga fshati i Rahovecit, Ganimete Mrasoraj tregon se shteti i saj dhe njerëzit në krye të tij nuk i trajtojnë si qytetare të barabarta. Edhe pse nuk ka ndonjë shkollim të lartë, ajo e sheh vetën të aftë që të punojë.

Gjendja e njejtë është me shumicën e grave në fshatin e saj.

“Unë njësoj se si shumica e grave në fshatin tonë kemi nevojë për ndonjë punë që do të na paguhej, dhe me ato të ardhura do të mund të ju plotësoja kushtet e fëmijëve. Shumica e grave të fshatit tonë janë amvise, dhe bëjnë punë të ndryshme shtëpiake, dhe për këtë, ne nuk kemi vullnet për punët që bëjmë, sepse nuk na paguan askush për punët që kryejmë gjatë ditës. Ani pse kemi dëshirë që dikush të na gjejë ndonjë punë, këtë askush nuk po e bënë. Politikanët tanë vazhdojnë ti mbushin xhepat e vetë e të mos ju interesojë për popullin e vet, nuk e di, është shumë e vështirë”, është rrëfyer Ganimetja.

Duke qenë të papuna e kësisoj edhe pa të ardhura, gratë amvise në Kosovë janë të varura nga burrat e kësisoj ato nuk mund të jenë punëkërkuese, e shteti nuk shkon tek ato.

Në Ministrinë e Punëve dhe Mirëqenies Sociale, Musa Demiri e pranojnë se nuk kanë kurrfarë të dhënash për numrin e grave amvise, të papuna.

Demiri ka thënë se ministria në fjalë shkon konfrom legjislacionit ekzistues duke i trajtuar vetëm ato raste që paraqiten në shërbimet e punësimit si punëkërkuese.

“Ne konform legjislacionit ekzistues duke i trajtuar vetëm ato raste që paraqiten në shërbimet e punësimit si punëkërkuese. Pra, ato që paraqitën si punëkërkuese në shërbimet e punësimit në Republikën e Kosovës trajtohen njëjtë si çdo punëkërkues tjetër, ndërsa për amviset dhe për kategorinë e studentëve  absolut nuk kemi kurrfarë të dhënash”, ka thënë Demiri.

Ndërsa, analistja për Çështje Gjinore, Ilirjana Banjska ka thënë se Kosova ka strategji qeveritare që synon ta trajtojnë çështjen e integrimit të grave në tregun e punës, por implementimi i këtyre strategjive vazhdon të jetë i dobët.

“Kosova ka strategji qeveritare që synojnë në forma të ndryshme me trajtu këtë temë, por implementimi vazhdon te jetë i dobët”, ka thënë Iliriana Banjska.

Banjska ka thënë se gratë përfaqësojnë një përqindje të madhe të popullatës që janë jo-aktive në tregun e punës, me rreth 80 përqind, dhe sipas saj arsye e një përqindje kaq të lartë janë obligimet që i kanë  gratë nëpër shtëpitë e tyre, që u ka mbet si ‘puna e grave’ për shkak të kulturës dhe traditave të shtypjes.

“Arsyet më të rëndësishme pse gratë e përfaqësojnë një përqindje të madhe të popullatës që janë jo-aktive në tregun e punës (80%), janë obligimet që i kanë të kujdesit në shtëpi dhe që ju ka mbet si “punë e grave” për shkak kulturës dhe traditave te shtypjes (kujdesi ndaj fëmijëve, të moshuarit, punët e shtëpisë etj). Një prej opsioneve që shteti duhet të merre parasysh kur drafton strategji në lidhje me këtë, është me ngrit numrin e kopshteve për fëmijë”, ka thënë analistja e Çështjeve Gjinore, Ilirjana Banjska.

Banjska arsye tjetër për gratë që nuk janë të integruara në tregun e punës në Kosovë është edhe tendenca e diskriminimit të gruas kosovare gjatë procesit të punësimit, e kjo më së shumti ndodhë në moshën riprodhuese sepse bizneset e shohin pushimin e lehonisë si në barrë të madhe.

“Arsyet pse një përqindje e madhe e grave mund të jete e papunësuar, është tendenca për të diskriminuar gratë (sidomos në moshën riprodhuese) në procesin e punësimit, është e madhe për arsye që bizneset e shohin pushimin e lehonisë si një barrë të madhe. Pra, ka forma të ndryshme qysh mundemi me adresu këtë problem. Krijimi i një leje prindërore, ku edhe babai mund të merre leje të lindjes me pagës, mund të zvogëlon barrën e grave, me i ndrru normat kulturore sa i përket kujdesit, dhe e minimizon diskriminimin ndaj grave ne procesin e punësimit sepse gjatë intervistës, punëdhënësi e din që njëjtë si gruaja dhe burri në të ardhmen mund të kërkojnë këtë pushim të lindjes”, ka përfunduar IlirjanaBanjska. /Insajderi.com