Të parët në ballafaqim me pandeminë dhe luftimin e së keqes – viti 2020 për Policinë e Kosovës

"2020, vit i punës, përkushtimit, shërbimit ndaj qytetarëve, sakrificës për vendin dhe shtetin ligjor që u krijua me shumë mund".

Të parët në ballafaqim me pandeminë dhe luftimin e së keqes – viti 2020 për Policinë e Kosovës

Në vijën e parë të fronit për luftimin e pandemisë. Të parët edhe në parandalimin e së keqes në luftimin e krimit, menaxhimin e trafikut rrugor, kontrollin kufitar, mbrojtjen e pronës, por edhe të parët në përballje me shkaktarë të ndryshëm që mund të ndërhyjnë në ruajtjen e shëndetit publik. Si ishte viti 2020 për Policinë e Kosovës?

Më shumë detaje për këtë çështje ka dhënë zëdhënësi i këtij institucioni, Daut Hoxha, në një intervistë të realizuar për Gazetën Online Insajderi.

Sipas tij, shfaqja e pandemisë COVID-19 në vend, ka krijuar rrethana të reja edhe në Policinë e Kosovës, por që kjo e fundit ja ka dalë mbanë në kryerjen e detyrës duke zbatuar ligjin e duke u bazuar në planifikime operacionale e strategjike.

Hoxha thekson se ndonëse në rrethana sfiduese, Policia ka arritur të përfundojë me sukses këtë vit edhe për shkak të bashkëpunimit të mirë me qytetarët.

I pyetur për gjendjen e krijuar nga pandemia brenda këtij institucioni, meqë zyrtarët e “vijës së kaltër” u ballafaquan me personat potencialisht të infektuar në çfarëdo ambienti gjatë realizimit të detyrave të tyre zyrtare, Hoxha tregon se në radhët e tyre 13 punonjës nuk kanë arritur t’i bëjnë ballë këtij virusi, nga më shumë se një mijë e 200 zyrtarë të infektuar.

“Prej tyre janë shëruar mbi 900 punonjës, fatkeqësisht 13 punonjës policorë kanë humbur jetën, përderisa rreth 270 ishin aktiv me COVID-19”, thotë tutje ai.

Me gjithë vështirësitë dhe sfidat që solli ky vit në PK, Hoxha 2020-tën e definoi si “vit i punës, përkushtimit, shërbimit ndaj qytetarëve, sakrificës për vendin dhe shtetin ligjor që u krijua me shumë mund”.

Intervista e plotë:

Insajderi: Si ka qenë ky vit për Policinë e Kosovës në krahasim me vitet e kaluara?

Hoxha: Policia e Kosovës, sikurse edhe viteve të kaluara ka qenë në kryerje të detyrave dhe përgjegjësive të saj, mirëpo me shfaqjen e pandemisë COVID-19, domosdoshmërisht u krijuan rrethana të reja dhe Policia ka luajtur një rol aktiv në mbështetjen e institucioneve shtetërore në funksion të kujdesit dhe ruajtjes së shëndetit të qytetarëve tanë.

Policia si institucion i zbatimit të ligjit kryesisht vepron duke u bazuar në planifikime operacionale dhe strategjike, dhe paraqitja e virusit COVID-19, si një sfidë jo vetëm për institucionet e vendit tonë, por pothuajse për tërë globin ka imponuar qasje dhe veprime të koordinuara ndërinstitucionale për të menaxhuar dhe përballuar situatën e krijuar, ku objektiv në këtë periudhë ka qenë parandalimi dhe luftimi i virusit.

Policia e Kosovës ka pas bashkëpunim të mirë edhe me institucionet tjera dhe përveç parandalimit dhe luftimit të krimit, menaxhimit të trafikut rrugor, kontrollin kufitar, mbrojtjen e pronës, këtë vit e karakterizon edhe përpjekja dhe angazhimet e pakursyera të punonjësve policorë në ruajtjen e shëndetit publik.

Insajderi: A ka pasur diferencim edhe në rregullat të cilat është dashur t’i përcjellë Policia gjatë këtij viti dhe sa ishte e vështirë?

Hoxha: Detyrat dhe autorizimet policore janë të percaktuara qartë me ligj, mirëpo siç theksova më lart rrethanat e reja dhe vendimet e dala nga institucionet kompetente shtetërore me paraqitjen e pandemisë janë kërkuar edhe aktivitete mbështetëse shtesë për menaxhim të situatës në vend. Megjithatë edhe në këtë kontekst përmes ligjit të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës për parandalim dhe luftim të pandemisë COVID-19, janë përcaktuar edhe veprimet e Policisë në ofrimin e mbështetjes për institucionet relevante dhe menaxhimin e situatës.

Megjithëse gjatë implementimit të ligjit ka pasur edhe masa dhe kufizime të caktuara, bashkëpunimi me qytetarët ka qenë i mirë dhe vazhdimisht jemi përpjekur të ofrojmë informacione relevante se edhe masat dhe kufizimet e vendosura nga autoritetet janë në të mirë të parandalimit të përhapjes së pandemisë dhe për ruajtjen e shëndetit të qytetarëve tanë.

Insajderi: Si ka ndikuar pandemia në këtë institucion?

Hoxha: Duke qenë se ne si PK jemi ballafaquar direkt me personat potencialisht të infektuar, qoftë në rrugë apo ambiente tjera gjatë realizimit të detyrave tona zyrtare, dhe siç e dini përhapja e virusit në faza të caktuara ishte në mënyrë eksponenciale, edhe në radhët tona kemi pasur mbi 1200, punonjës të infektuar me COVID-19.

Insajderi: Sa zyrtarë policorë nuk kanë arritur t’i bëjnë ballë këtij virusi dhe sa të tjerë janë infektuar e vazhdojnë të jenë të infektuar?

Hoxha: Me gjithë ndërmarrjen e masave mbrojtëse në koordinim të plotë me institucionet kompetente në fushën e shëndetësisë dhe institucioneve tjera relevante, nga fillimi i pandemisë e deri kah mesi i muajit dhjetor (2020), numri i përgjithshëm i zyrtarëve, punonjës të PK-së të infektuar me COVID-19, ka qenë mbi një mijë e dyqind punonjës policorë të infektuar.

Prej tyre janë shëruar mbi 900 punonjës, fatkeqësisht 13 punonjës policorë kanë humbur jetën, përderisa rreth 270 ishin aktiv me COVID-19.

Insajderi: A është vlerësuar puna juaj nga institucionet kompetente?

Hoxha: Sa i përket vlerësimeve, kjo nuk na takon neve të komentojmë shumë, megjithatë si vlerësim më të lartë ne e konsiderojmë mbështetjen dhe besueshmërinë që qytetarët e Kosovës kanë ndaj Policisë për vite me radhë dhe respektin e ndërsjellë për të kontribuar për një shtet ligjor ku secili mund të jetojë i lirë dhe pa brenga, të lëvizë lirshëm, të shprehet lirshëm​ pa dallim etnik gjinor apo tjetër.

Insajderi: Sa prej premtimeve të dhëna ndaj Policisë deri më sot janë realizuar sa i përket kushteve e mjeteve financiare?

Hoxha: Lidhur me këtë çështje ju e dini që PK-ja ka edhe sindikatën e saj e cila trajton edhe çështjet e tilla që ndërlidhen me mirëqenien e punonjësve, prandaj nuk mund të komentojmë lidhur me këtë.

Insajderi: Si mund të definohet 2020-ta në disa fjalë për Policinë e Kosovës?

Hoxha: Më 2020, Policia e Kosovës ka shënuar 21 vjetorin e themelimit të saj dhe në këtë përvjetor 21 punonjës policorë janë shpall heronjë të Kosovës. Çka tjetër përveç punë, përkushtim, shërbim ndaj qytetarëve, sakrificë për vendin dhe shtetin ligjor që u krijua me aq shumë mund. /Insajderi.com