Të shtëna me armë zjarri në afërsi të selisë qëndrore të PDK-së

Të shtëna me armë zjarri në afërsi të selisë qëndrore të PDK-së

Të shtëna me armë zjarri janë raportuar të premten mbrëma në rrugën “Fehmi Agani” në Prishtinë, më saktësisht në afërsi të selisë qëndrore të Partisë Demokratike të Kosovës.

Disa persona dyshohet se nga një veturë kanë shtënë në drejtim të një personi dhe me shpejtësi janë larguar nga vendngjarja.

Kështu ka bërë të ditur për Insajderi-n zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila tha se nga të shtënat nuk ka persona të lënduar.

“Rreth  orës 21:30 është raportuar për një gjuajtje me armë zjarri në rrugën “Fehmi Agani” në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet lidhur me rrethanat që karakterizojnë rastin. Informatat e para flasin për dyshimet se persona të dyshuar nga një veturë kanë shtënë në drejtim të një personi dhe me shpejtësi janë larguar nga vendi i ngjarjes. Fatmirësisht nga të shtënat nuk ka pasur persona te lënduar”, ka konfirmuar Ahmeti.

Aktualisht po vijon puna policore për identifikimin e të dyshuarve si dhe lokalizimin e vendndodhjes së tyre./Insajderi.com