Të shtëna me armë zjarri në Podujevë – ndalohet një 58-vjeçar

Të shtëna me armë zjarri në Podujevë – ndalohet një 58-vjeçar

Një 58-vjeçar është ndaluar nga Policia meqë dyshohet për disa të shtëna me armë zjarri gjatë masdites së sotme në Podujevë, njofton Insajderi.

Siç bëhet e ditur nga PK, njësitet policore kanë gjetur tri gëzhoja në vendin ne ngjarjes e pastaj kanë identifikuar personin e dyshuar për të shtënat, të cilin e kanë intervistuar dhe i kanë sekuestruar një revole të tipit ‘Browing’.

“Sot rreth orës 14:30 policia ka marrë informatën se në rrugën “Skënder Beu” në Podujevë ka të shtëna me armë zjarri. Menjëherë pas marrjes së informatës njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe nga veprimet e para gjurmuese dhe të këqyrjes së vendngjarjes kanë arritur të gjejnë tri gëzhoja. Ndërkohë që janë gjetur gëzhojat është zgjeruar horizonti i punës hetimore për të identifikuar personin që ka shtënë me armë. Veprimet e shpejta hetimore të policisë kanë rezultuar me identifikimin e të dyshuarit; O. M, 58 vjeç, mashkull, shtetas i Republikës së Kosovës, i cili është intervistuar nga ana e policisë, dhe nga i njëjti është sekuestruar; Një revole e tipit Broëing, kalibrit 7.65 mm, nga e cila dyshohet të jetë shtënë”, ka thënë Agron Borovci, zëdhënës i Policisë së Kosovës.

Policia ka thënë se të shtënat me armë zjarri kanë ndodhur për shkak të një gëzimi familjar.

“Nga hetimi paraprak që policia i ka bërë kësaj ngjarjeje është ngritur versioni dyshimit se i dyshuari për arsye të një gëzimi familjar ka shtënë me armë si formë e shprehjes së gëzimit. Policia konform rekomandimit të prokurorit të shtetit ka iniciuar një hetim ndaj të dyshuarit për rastin mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve”, ka thënë tutje Borovci. /Insajderi.com