
Teatri Kombëtar i Kosovës i ka shprehur ngushëllime familjes Ahmeti, miqve, kolegëve si dhe gjithë komunitetit artistik, për vdekjen e aktorit Luran Ahmeti, përcjell Insajderi.
Në njoftimin e publikuar nga Teatri thuhet se Luran Ahmeti, ishte nga ëndërruesit e mëdhenj të teatrit dhe filmit, krijues i cili me kontributin e tij profesional, la gjurmë të pashlyeshme në kulturën shqiptare dhe më gjerë.
“Kontributi i tij në zhvillimin e artit teatror, rolet e shumta të luajtura në skenat e teatrit, rolet e tij të shumta në seriale brenda dhe jashtë vendit, portretizimi i roleve të shumta në filma përkrah yjeve botërore, do të na bëjnë të ndihemi krenarë përherë. Përulemi para punës dhe veprës tënde. I përhershëm kujtimi për ty!”, thuhet në njoftimin e tyre në Facebook.
Aktori i njohur nga Shkupi, Luran Ahmeti ka vdekur të enjten në moshën 46-vjeçare.
Ai ishte aktor i Teatrit Shqiptar në Shkup, ndërkohë që ka luajtur edhe në filmim e njohur “Taken” përkrah aktorit të njohur hollivudian, Liam Neeson./Insajderi.com