Tekstet mësimore që do të jepen falas janë gati

Tekstet mësimore që do të jepen falas janë gati

Janë duke u bërë përgatitjet përfundimtare për fillimin e vitit të ri shkollor më 1 shtator në të gjitha shkollat e arsimit parauniversitar në Kosovë.

Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit thanë se tashmë është gati edhe kurrikula e re për klasën e parë, të gjashtë dhe të dhjetë, me të cilën do të fillohet në të gjitha shkollat e Kosovës.

Janë duke u bërë përgatitjet përfundimtare në planprograme si dhe hapësira objektive në mënyrë që mësimi për vitin shkollor 2017/18 të filloj më 1 shtator.

Drejtori i Departamentit parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, Mustafë Kadriu, ka thënë se kurrikula e re e arsimit parauniversitar e cila është pilotuar dy vitet e kaluara, sivjet do të zbatohet në mbarë vendin.

Kadriu ka shtuar se edhe tekstet mësimore që do të jepen falas janë gati, vetëm se sivjet tekstet e reja do të shpërndahen vetëm për nxënësit e klasave 1 deri në të 5-ës, kurse për nxënësit e klasave 6 deri në të 9-ën do të barten nga gjenerata në gjeneratë.

“Ka nëpër stoqe që mund të shfrytëzohen tekste të cilat eventualisht që mund të mbetet pa ndonjë tekst mund të shfrytëzohet edhe prej stoqeve që janë mbet prej viteve paraprake, nxënësit nuk kanë nevojë me ble tekste”, tha Kadriu.

Por, Kadriu është shprehur se librat e gjuhës angleze mund të vonohen për 2-3 javë pasi që ato nuk botohen në Kosovë dhe duhet të vijnë nga jashtë vendit.

Se gjithçka është gati që mësimi të filloj sipas kalendarit mësimor, ka konfirmuar edhe drejtoresha në dorëheqje e Arsimit në Prishtinë, Arbërie Nagavci.

“Në shumicën e shkollave është dërguar inventari, është plotësuar aty ku ka pas nevojë, banka karrige e kështu me radhë, janë duke vazhduar punimet në gëlqerosje të shkollave dhe të çerdheve, pastaj po punohet në përmirësimin e infrastrukturës në përgjithësi,  shembull kryesisht në nyjet sanitare dhe tualete, pastaj është në proces rregullimi i oborreve e kështu me radhë”, tha Nagavci.

Në shkollimin e mesëm të ulët në Kosovë mësimin e vijojnë mbi 250 mijë nxënës, prej tyre rreth 27 mijë në klasën e parë.