
Evoluimi i teknologjisë ka bërë që nga një mjet i thjeshtë komunikimi, telefoni të shndërrohet në një mjet të domosdoshëm në përditshmërinë tonë, duke na bërë kështu të varur ndaj tij. Por, përdorimi i tij në komunikacion nga ngasësit është i ndaluar, për shkak se është shkaktar i shumë aksidenteve fatale.
Komunikimi me njerëzit e afërm, shfletimi i lajmeve të ndryshme, postimi apo qëndrimi në rrjete sociale, të gjitha këto janë të mundura përmes telefonit. Por, përdorimi i tepërt i tij ka nisur të jetë edhe shqetësues, sepse përveç varësisë ndaj tij, nga përdorimi i tij në komunikacion, shkaktohen shumë aksidente, të cilat shpeshherë edhe përfundojnë me fatalitet.
Policia e Kosovës në vazhdimësi ndërmerr veprime policore në terren për mbikëqyrje të trafikut dhe njëkohësisht vazhdon të kërkojë nga pjesëmarrësit në trafik siç janë këmbësorët dhe drejtuesit e automjeteve, që të respektojnë dispozitat ligjore, t’i shmangen përdorimit të telefonit gjatë kalimit të rrugëve dhe ngasjes, si dhe veprimeve tjera që mund të shkaktojnë rrezik dhe pasiguri gjatë drejtimit të automjetit.
Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, gjatë muajve janar – maj, në Kosovë janë shkaktuar 35 aksidente fatale, 42 persona kanë vdekur dhe 155.360 tiketa janë shqiptuar në komunikacion, duke përfshirë këtu edhe rastet kur drejtuesit e automjeteve kanë qenë duke e përdorur telefonin gjatë ngasjes.
Mirëpo, përkundër kërkesave dhe gjobave të policisë, qytetarët vazhdojnë t’i përdorin me të madhe telefonat, edhe gjatë pjesëmarrjes në komunikacion.
Policia e Kosovës, për Gazetën Express, ka thënë se njësitet e policisë vazhdojnë të kenë prezencë të shtuar policore për të monitoruar situatën në trafikun rrugor nëpër të gjitha rrugët e vendit. Duke marrë kështu masa ndëshkuese ligjore me qëllim të parandalimit të rasteve të aksidenteve.
“Policia e Kosovës me njësitet e saj policore vazhdon të ketë prezencë të shtuar policore, të monitorojnë dhe të menaxhojnë situatën në trafikun rrugor nëpër të gjitha rrugët e vendit dhe aty ku pjesëmarrësit bien ndesh me rregullat që parasheh ligji në trafik, masa ndëshkuese ligjore po aplikohen dhe do të aplikohen në vazhdimësi me qëllim të parandalimit të rasteve të aksidenteve në veçanti këtyre me pasoja fatale”, ka thënë Policia e Kosovës për Express.
Gjithashtu, gjoba shqiptohen edhe ndaj këmbësorëve të cilët nuk e respektojnë ligjin, këtu hyjnë edhe rastet kur këmbësorët e përdorin telefonin gjatë pjesëmarrjes në komunikacion.
Policia e Kosovës kërkon që qytetarët të respektojnë ligjet, për të ulur kështu numrin e aksidenteve në përgjithësi, e sidomos kur këto të fundit shkaktohen nga pakujdesia e pjesëmarrësve në komunikacion.